E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përmbyturit, jepen paratë e dëmshpërblimit

21/04/2010 Gjithçka gati në sportelet e postave. Shpërndarja deri më 31 maj, përfitojnë 469 familje

SHKODER- Dita e djeshme ka shënuar dhe fillimin e procesit të shpërndarjes së parave të dëmshpërblimit për familjet e përmbytura këtë fillimviti në qarkun e Shkodrës. Duke filluar nga ora 13 :00 e ditës së martë pranë sporteleve të postave ka filluar shpërndarja e parave të dëmshpërblimeve për familjet e përmbytura gjatë përmbytjes së parë të këtij fillim viti në zonat e Nënshkodrës dhe në disa lagje të qytetit.

Shpërndarja

Drejtuesit e filialit të Postës Shqiptare në Shkodër kanë theksuar se që paraditen e së martës gjithçka ka qenë gati në sportele për fillimin e shpërndarjes së parave për familjet e përmbytura. Shpërndarja e parave është parashikuar të realizohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar. Nga filiali i Postës Shkodër është hartuar grafiku për ditët e para dhe është bërë shpallja e tyre në zyrat postare, në mënyrë që të mos krijohen radhë të kota dhe anomali gjatë tërheqjes së parave. Familjet e interesuara mund të informohen për datën e saktë, kur duhet të paraqiten pranë sporteleve për të tërhequr paratë. Shpërndarja do bëhet deri më datën 31 maj. Nga drejtuesit e Postës Shkodër janë marrë masat për të mos pasur zvarritje të procesit. Sipas të dhënave të paraqitura në këtë postë, në qarkun e Shkodrës janë gjithsej 469 familje që përfitojnë dëmshpërblim për përmbytjet e pronave të tyre në janar të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›