E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të dorëhiqen Berisha dhe Meta, ndryshe populli do reagojë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha dhe zëvendëkryeministri Ilir Meta pas publikimit të videos në media.

Duke folur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, kreu i saj Edi Rama theksoi se opozita kërkon dorëheqjen e tyre jo për t`i zënë karriget por për të sjellë lirinë e konkurencës në politikë. 

“Ne kërkojmë dorëheqjen e tyre jo për t`u ulur në karriget e tyre por të sjellë lirinë e konkurencës në politikë përmes zgjedhjeve të reja dhe sipas meritës dhe jo sipas kritereve të bllokut” theksoi Rama duke shtuar se çdo ditë që ata vonojnë dorëheqjen rëndojnë pozitën e tyre para këtij populli pasi i hyjnë në hak atij.

Duke iu referuar videos të publikuar, kreu i opozitës Rama theksoi se tashmë u vërtetua më së miri korrupsioni i qeverisë dhe se kryeministri Berisha duhet të largohet pasi përndryshe do të jetë vetë populli i cili do ta largojë atë.

“Sot që alibia e turpit ka rënë siç ka rënë kjo qeverisje. Saliu duhet të dorëhiqet përndryshe populli i tallur i lind e drejta ta largojë me mjete që kushtetuta ia lejon vetëm popullit” theksoi Rama.

Gjithashtu Rama ka deklaruar se shumë shpejt opinioni do të njihet me skandale të tjera që do të tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe që do e bëjnë të domosdoshëm largimin e qeverisë.
 

“Së shpejti do të publikojmë një skandal të patolerueshëm që lidhet me manipulimin e shifrave të kriminalitetit në vend”, theksoi Rama duke shtuar se do të publikohen edhe të vërtetat e përmbytjeve të fundit në qarkun e Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›