E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret pushtojnë pyjet e Mirditës

Prej katër ditësh forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve por pa rezultat


MIRDITË- Zjarrit të fuqishëm të rënë prej disa ditësh në masivin pyjor të Rubikut, dje i janë shtuar edhe dy zjarre të tjerë, një në pyjet e Lurthit dhe një tjetër në zonën e Kulmes, aty ku gjenden dhe masivet pyjore dushkore, më të mëdhatë në Mirditë. Këto përbëjnë dhe kurorat e mëdha të dy qyteteve kryesore të kësaj krahine, Rrësheni dhe Rubiku.


Prej katër ditësh dhjetëra hektarë me pyje janë shkrumbuar të tëra dhe zjarri vazhdon edhe pse në shuarjen e tij janë përfshirë mbi 200 forca të shërbimit pyjor, forca të xhenios së ushtrisë dhe policisë, si dhe nga zonat afër këtyre vatrave. Po ashtu po punojnë dhe traktorë për hapje kanalesh për të izoluar zjarret, por gjë e pamundur pasi erërat e forta i kapërcejnë pengesat duke përhapur zjarrin në vatra të reja.


Si te mos mjaftonte zjarri në zonën e Rubikut, sot dy zjarre të fuqishme ranë në pyjet e Lurthit dhe atë të Kulmes, me tendencë përhapjeje të shpejtë duke rrezikuar një përhapje në shkallë të gjerë në tërë kurrizin malor të Kulme-Dervenit e më tej për t'u lidhur me zjarrin e rënë në zonën e Rubikut, duke përfshirë qindra hektarë pyje.


Drejtues të bashkisë Rrëshen u shprehën sot se po bëjnë të pamundurën për ta mbajtur zjarrin nën kontroll, por është krejt e pamundur nga përhapja e tij përmes erërave të forta. Këto zjarre duke u ulur poshtë rrezikojnë të kapin shtëpitë e disa fshatrave, dhe ato të një fshati afër qytetit të Rrëshenit,ndaj apelohet për një ndërhyrje energjike nga emergjencat civile.


Edhe pse është kërkuar ndihmë për ndërhyrje nga ajri, deri më tash nuk është bërë e mundur kjo gjë,ndërsa ndërhyrja efikase me forca tokësore e ka të pamundur izolimin e zjarreve, madje dhe po i rrezikon njerëzit. Autoritetet vendore bëjnë apel për një ndërhyrje të shpejtë nga qeveria, para se të ketë dëmtime serioze edhe në banesa, ndërsa për pyje thuajse në gjysmën e Mirditës, nëse vazhdohet me këtë vrull, nuk do të ketë më.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›