E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të premten, në orën 17:30, marshim i heshtur

Opozita ftoi qytetarët që të marshojnë në mënyrë të heshtur ditën e premte, në orën 17:30 për të mos qenë bashkëfajtorë të krimit qeveritar. Kryetari i socialistëve, Edi Rama, shprehu dje indinjatën e miliona shqiptareve e shqiptarëve, për sjelljen imorale të Kryeministrit të vendit tonë pas një tragjedie që ndodhi, jo për shkak të Zotit, po për shkak të papërgjeshmërisë politike. "Falë shqyrtimit të fakteve të dokumentuara e të bëra publike përmes burimesh të pavarura të informimit publik, shqiptarët mësuan se Kryeministri na ka gënjyer të paktën tri herë në tri ditë", nënvizoi Rama. Ai ju referua thënies së Kryeministrit se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin, duke konstatuar se na gënjeu. "Na tha se në atë punishte nuk punonin gra e fëmijë dhe na gënjeu. Na tha se ai s‘ka pasur asnjë dijeni për këtë punë dhe përsëri na gënjeu", tha Rama. Kreu i socialistëve mohoi të ketë folur gjatë këtyre ditëve si kryetari i një partie që sot është në opozitë me qeverinë, por si një qytetar që ka mundësinë e përgjegjësinë të shprehë nga një tribunë e lartë ndjenjat e shqetësimet e miliona njerëzve. "Të cilët nuk e kanë as këtë mundësi e as këtë përgjegjësi përballë një qeverie të papërgjegjshme, të paaftë e të korruptuar deri në palcë që na e ka kthyer atdheun tonë e të fëmijëve tanë në një fushë të minuar me rreziqe për jetën", insistoi ai. Rama akuzoi Berishën se gënjen për të fshehur një skandal të pashoq të papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit që e ka kalbëzuar krejt qeverinë e tij e atë vetë përmes shpërdorimit më skandaloz të votës së popullit. "Në emër të dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar unë i ftoj të gjithë, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive partiake, në një ecje të heshtur përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për të dëshmuar se ata dhjetëra mijëra burra, gra e fëmijë që kanë ndërruar jetë në këto 17 vjet në punë, në rrugë, në festë na kanë mësuar më në fund diçka pas shpërthimit apokaliptik të Gërdecit", u shpreh Rama. Sipas të cilit duhet të ecim së bashku në homazh të kësaj tragjedie për të treguar se ne nuk jemi skllevër të heshtur që mund të na hedhin në erë ata që na kanë marrë votën për të na garantuar jetën, familjen, pronën, atdheun. "Po njerëz të lirë që s‘mund ta pranojmë kurrë kokulur për Kryeministër një zotëri që sot ka paturpësinë të ngrejë edhe zërin kundër burimeve të pavarura të informimit të publikut e atyre qindra vajzave e djemve që po na bëjnë këto ditë shërbimin e çmuar të pasqyrimit e zbardhjes të së vërtetës, gazetarë e kameramanë kurajozë, profesionistë e amatorë, të cilët s‘duan të vdesin si skllevër të gënjeshtrave të pushtetit", argumentoi Rama. Ai kërkoi të protestohet në mbrojtje të fëmijëve, familjeve e atdheut tonë, duke shprehur me krenari qytetare, jo vetëm hidhërimin, po edhe indinjatën për jetën e humbur të bashkëmoshatarëve, të kalamajve tanë të shfrytëzuar kafshërisht në të zezë e të vrarë barbarisht nga një bombë e kurdisur. "Me vendimin e papërgjegjshëm të qeverisë sonë të paaftë e me bekimin e Kryeministrit tonë të korruptuar", tha ai. Ecja e heshtur ku unë dëshiroj të marr pjesë si qytetar, shtoi ai, me të tjerë bashkëqytetare e bashkëqytetarë, përtej çdo kufiri partiak e larg çdo synimi politik, po organizohet së bashku me qytetare e qytetarë të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›