E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shthuret Kryeministri

Në momentin që Kryeministrit tonë po i tronditet çatia e qeverisë mbi kokë, në momentin që fare pak kilometra nga shtëpia e tij janë ende me qindra kufoma të paidentifikuara nëpër gërmadhat e katastrofës së Gërdecit, është po ky Kryeministër që ka gjetur çastin më të gabuar për të ashpërsuar gjuhën me mediat. Jo më larg se dje, Berisha i cilësoi gazetarët dhe gazetaret (siç u shpreh Berisha), si zëdhënës apo mercenarë të mafies, që sipas tij kanë shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, duke manipuluar me fatkeqësinë e viktimave. Është pikërisht ky Kryeministër që na jep leksione ne gazetarëve mbi moralin, ndërkohë që nuk e di as vetë vlerën e asaj që ai e quan moral, në të kundërt do ta brente sedra dhe do t‘i bashkohej aktit që bëri të hënën një nga aleatët më besnik të tij, të jepte dorëheqjen. Përpos gabimit të parë, duke mos dhënë dorëheqjen si Kryeministër, Berisha gjeti momentin e gabuar për t‘u bërë protagonist i një gabimi të dytë, duke përdorur një gjuhë cinike me mediat. "Nëse gazetarët lakuriq do të dalin në mediat e tyre, ne nuk do t‘i pengojmë, do t‘i lëmë të lirë, le ta bëjnë. Liria e tyre është e shenjtë për mua", tha Berisha, duke buzëqeshur në mbledhjen e qeverisë, duke harruar se po vazhdonin ta shikonin nëpërmjet ekraneve që ky Kryeministër sulmoi, personat që kanë ende varret e hapura nga tragjedia e Gërdecit. Zoti Kryeministër, Ne nuk jemi skllevër të kësaj qeverie që të heshtim përpara së vërtetës. Nuk jemi as aktorë të filmave pornografikë që të zhvishemi nudo, ashtu siç sugjerove dje në mbledhjen e qeverisë. Ne jemi thjesht njerëz që bëjmë detyrën që na është ngarkuar nga lexuesit dhe nga njerëzit që na ndjekin nëpër televizione, thjeshtë informojmë dhe eksplorojmë mbi të vërtetën e asaj që bëni ju. Bëjmë vetëm atë që na kërkon detyra, i pëlqen apo nuk i pëlqen Kryeministrit. Dhe të jeni i sigurt zoti Berisha se të vërtetën e themi me rroba veshur, duke treguar lakuriqësinë e asaj që tentoni të fshini ju. Kryeministri me gjuhë të shthurur, që ne vetë e zgjodhëm me votën e 3 korrikut të vitit 2005, duhet më parë të na tregojë disa gjëra të tjera thelbësore, përpara se të na drejtohet me gjuhën e vet cinike. Janë me dhjetëra njerëz që kanë humbur jetën në katastrofën e Gërdecit që nuk po mund të identifikohen dot nga ky shtet që po na drejton. Zgjidhe këtë çështje zoti Kryeministër dhe pastaj ec e merru me ne. Vetëm 15 ditë na ndajnë nga Samiti i Bukureshtit, ku presim atë që prej kohësh e kemi kërkuar, anëtarësimin në NATO dhe vendi ynë është pa një ministër Mbrojtjeje. Zgjidhe më parë një ministër të ri Mbrojtjeje, zoti Kryeministër dhe më pas ec e merru me ne. Dhe pasi t‘i mbarosh të gjitha këto obligime, duhet të merresh me gjurmët e korrupsionit të qeverisë që po drejton dhe më pas ec e merru me ne, sepse të jesh i bindur se do të jemi gjithmonë në kërkim të ujkut të korruptuar. Ke shumë çështje të rëndësishme për të bërë zoti Kryeministër, përpara se të përdorësh gjuhën cinike me gazetarët. Mjaft akuzove gazetarët për makabritet moral, sepse ishin pikërisht gazetarët të cilët u futën mes predhave për t‘i transmetuar opinionit publik të vërtetën e ngjarjes së Gërdecit. Ku e keni këtë guxim ju zoti Kryeministër, ku nuk mundeni dot të gjeni të paktën numrin e saktë të personave që humbën jetën në këtë tragjedi dhe jo më të futeni mes predhave në fshatin që e pagëzuat si zonë të fatkeqësisë. Lëreni mënjanë togun e fjalive akuzuese dhe futjuni punës për të nxjerrë vendin nga kjo katastrofë që e ka pushtuar, ose në të kundërt ik, se ka gjithmonë një njeri që di ta bëjë më mirë se ty atë punë që ke marrë përsipër që pas 3 korrikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›