Rama: Të rinjtë duhet të përfshihen në politikë
Fondacioni "Qemal Stafa", në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike, nisi dje një program intensiv, me qëllim zgjerimin e kapaciteteve politike të të rinjve. Gjatë bashkëbisedimit në një nga universitetet private në Tiranë, kreu i socialistëve, Edi Rama, u shpreh se politika duhet të jetë një mjet në duart e qytetarëve, por për të bërë të mundur këtë vetëdije të PS-së duhet që vetë qytetarët të mos jenë indiferentë. Kjo, sipas tij, në mënyrë që ata që zgjidhen përmes votës të jenë të vetëdijshëm për mandatin e marrë. "Është e vërtetë, unë nuk jam politikan. Jam një qytetar, që asnjëherë nuk kam pasur aftësinë që të rri rehat, gjithmonë kam qenë i nxitur së brendshmi që të mos rri rehat, lidhur me cilësinë e jetës shoqërore", deklaroi Rama. Të mos rri rehat, shtoi ai, kur isha në moshën tuaj, në atë kohë ishte e pamundur të mos kërkoje rrugë për të zgjeruar dijet dhe fushën e informacionit që ishte shumë e kufizuar. Rama u bëri thirrje të rinjve për të mos qëndruar indiferentë apo refuzues përballë politikës, sepse në të kundërt nuk do të kemi rezultatet e kërkuara dhe që i presim prej 17 vjetësh. "Asgjë nuk lëviz në drejtimin e duhur për të rejat dhe të rinjtë e sotëm të këtij vendi, në rast se të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi nuk bëjnë diçka, secili në vetvete për t‘i bërë gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur", nënvizoi Rama. Drejtori ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri, në shpalljen e këtij programi deklaroi: "Unë sot në fakt kam privilegjin që në emër të fondacionit të anonçoj një program intensiv aktivitetesh që fillon sot, e në kuadër të së cilit do të zhvillohen trajnime dhe debate publike".