E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të vendosim forcën e ligjit mbi ligjin e forcës

TIRANE-
Montohen cadrat para kryeministrisë
Janë montuar 25 cadra përpara ambjenteve të kryeministrisë, në të cilat do të kalojnë natën 30 deputetë të PS. Grupi prej 30 deputetësh do të zëvendësohet nga një tjetër grup, ditën e nesërme në orën 8:00. Mes tyre pritet të jetë edhe kryesocialisti Edi Rama. Cadrat e ngritura përpara kryeministrisë do të qendrojnë aty për tre ditë rresht, ndërsa deputetë të Partisë Socilaiste kanë pohuar për News 24 se, protesta mund të vazhdojë edhe me muaj të tërë nëse nuk plotësohet kërkesa kryesore e tyre, hapja e kutive.

Nis ngritja e cadrave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Menjëherë pasi kanë përfunduar fjalimet zyrtare në protestën e opozitës të nisur 4 orë më parë, ka filluar puna për ngritjen e cadrave ku do të kalojnë natën mijra qytetarë bashkë me deputetët socialistë të kryesuar nga kryetari Edi Rama.
Përmes një proteste, që shihet për herë të parë në Shqipëri socialistët kërkojnë hapjen e kutive të votimit, duke paralajmëruar se në rast të përgjigjes negative të qeverisë , protesta do të përshkallëzohet në forma të tjera.

Brace për News 24 : Zgjedhje të parakohshme nëse Berisha nuk reagon
Për News 24 është prononcuar edhe deputeti Erion Brace. Ai përforëcoi bindjen se nëse Berisha nuk do të ndryshojë qendrimin e tij, do të kërkohen zgjedhje të parakohshme

“Do të jetë një natë e gjatë. Do të vazhdojmë deri në fund me protestë në forma të tjera, jemi shumë të vendosur për të cuar deri në fund mesazhin e 100 mijë njerëzve që ishin sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ne jemi këtu, ndërsa qeveritarët nuk ndodhen këtu, janë në rezidenca nëpër plazhe. Por ne kemi vetëm një qëllim që të përmbushen kërkesat, për ndryshe do të kërkojmë zgjedhje të parakohshme”, thekson Brace.

Dade për News 24: Berisha hap kutitë, nuk ke rrugë tjetër
Deputetja socialiste, Arta Dade e ndodhur mes grupit të deputetëve që do të kryejnë turnin e parë të protestës maratonë, është shprehur se kjo është protesta më e madhe që PS po bën në emër të demokracisë.
Sipas saj, Berisha nuk ka rrugë tjetër përvecëse të hapë kutitë e vjedhura.
Berisha nuk ka rrugë tjetër përvecëse hapjes së kutive, sa më shumë të vonojnë aq më keq për të. Ne kërkojmë transparencën e procesit zgjedhor që të kontrollojmë cdo blerje vote, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë ku kanë shkuar votat e tyre”, tha Dade.

Edhe Dade, u shpreh në një mendje me deputetët e tjerë, se nëse kutitë nuk hapen protestat do të përshkallëzohen.
“PS do të përshkallëzojë protestat, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike. Do të arrijmë atje ku duan ata që na kanë dhënë mandatin. Nuk largohemi nga sheshi pa arritur objektivin që kemi kërkuar, që nga 28 qershori”, thekson Dade.
Arta Dade përfundon fjalën e saj duke thënë se kjo protestë manifestoi culture qytetare, pasi këtu protestuan europianët e vërtetë që mbrojnë votën e lirë.

Balla për News24 : Protesta do vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve
Protesta e opozitës dhe mbështetësve të tyre për hapjen e kutive të 28 qershorit, tashmë ka kaluar në një fazë tjetër, atë të ngritjes së cadrave. Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla shprehet për News 24 se, kjo protestë sapo ka filluar. Sipas tij protesta do të zgjasë për 50 orë rresht, deputetë dhe mbështetës do të zëvendësojnë njëri-tjetrin në këtë maratonë të gjatë.

“Protesta do të zgjasë 50 orë rresht ku deputetë dhe mbështetës do të jenë me ne për ti treguar Berishës që kërkojmë jo thjesht hapjen e kutive, por zbulimin e krimit të tij”, tha Balla.
Sipas tij, vetë kryesocialisti Rama do të qendrojë në cadër deri nesër në orën 8:00, ndërsa të dielën në orën 18:00, do të jetë pika kulminannte e protestës.

Të dielën do të jetë pika kulminante e kësaj proteste. Në kutitë nuk fshihen vetëm votat por edhe krimet e Berishës dhe familjes së tij. Ai refuzon kërkesën se në ato kuti fshihet e vërteta e maskarallëqeve që Berisha ka bërë në 4 vite”, shprehet Balla.

Pyetjes se nëse Berisha nuk do të hapë kutitë edhe pas protestave, deputeti Sokol Balla iu përgjigj se, “Ne ia kemi bërë të qartë që nuk tërhiqemi, do marrim atë që zgjedhësit kërkojnë, ligjitimitetin e zgjedhje. Nuk duam ndryshim rezultati në tavolinë, por duam që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje ku votat numërohen mbrapsh. Nëse nuk plotësojnë kërkesat tona do të protestojmë me ditë edhe me muaj”, përfundon Balla.

Rama: Të vendosim forcën e ligjit mbi ligjin e forcës
“Sot më shumë se kurrë duam të provojmë se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë liri dhe e drejtë që nuk blihet nuk shitet e nuk negociohet. Sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Europa” kështu e nisi fjalën e tij kryesocialisti Edi Rama përpara mijra qytetarëve që ju bashkuan sot protestës maratonë të socialistëve për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ndërsa theksoi se nga cënimi i zgjedhjeve cënohet cdo liri dhe e drejtë e qytetarëve, Rama nënvizoi edhe njëherë se integrimi i vendit nuk pengohet nga bojkoti i opozitës por, sic tha ai nga arsyet që cuan opozitën në bojkotimin e parlamentit.

“Futja e opozitës në Parlament në Kuvend në kushtet e rënda të demokracisë, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet por do të rishfaqet në të ardhmen.” theksoi Rama.

Kreu i të majtëve paralajmëroi përshkallëzim të protestave të të socialistëve duke thënë se aksioni nuk është luftë për pushtet por betejë për drejtësi e dinjitet.
“Kjo nuk është një luftë për pushtet, por një betejë për dinjitet e drejtësi që nuk na e jep dhuratë e sa na e merr dot peng pushteti i Berishës” tha Rama.
Ndërsa theksoi se zgjedhjet e manipuluara zvarrisin rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, Rama paralajmëroi se në rast të moshapjes së kutive opozita do të kërkojë me forcë largimin e qeverisë.

“Shkurt dhe troc, në qoftë se kutitë do të mbahen të mbyllura, ne do të përdorim forcën për largimin e qeverisë deri në zgjedhje të parakohshme. Do të përdorim një të drejtë që nuk na e ndalon dot askush” theksoi Rama.
Ndërsa foli për situatën ekonomike të vendit duke pohuar se bizneset, pronarët e njerëzit e thjeshtë janë në krizë të thellë ekonomike, kreu socialist ja ka faturuar gjendjen e rëndë ,asaj që ai e quajti familje në pushtet me në krye Berishën.

“Faktet, provat dhe dëshmitë e ulën Shqipërinë në rangjet e vendeve më të korruptuara të botës. Berisha nuk po qeveris në respekt ëe kushtetutës, ligjit dhe barazisë, Berisha po sundon duke thyer ligjin e duke shkelur Kushtetutën për qëllime aspak të fshehura fitimi” u shpreh Rama.

Dokle: Nuk shkojmë në parlament pa u hapur kutitë
Namik Dokle, deputeti i Partisë Socialiste në fjalën e tij gjatë protestës përpara kryeministrisë, ka kërkuar si deputeti më i vjetër i kësaj partie që të hapen kutitë e votimit.
Dokle ka përsëritur edhe një herë se pa hapjen e kutive nuk ka kthim në parlament.
“Ne nuk shkojmë në Parlament pa u plotësuar kushtet e shqiptarëve, nuk shkojmë në Parlament pa u hapur kutitë e vjedhura, ne nuk shkojmë ne Parlament përderisa deputetët duken si kuaj të vjedhur. Qendroni me ne se edhe ne do qëndrojmë me ju” ka theksuar Dokle.

Ngjela: Të rrëzojmë tiraninë që të hapen kutitë
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela i bashkuar me protestën e opozitës për hapjen e kutive është shprehur se kjo është protestë e bërë në emër të lirisë së mohuar.
“Kjo është protesta më e madhe e bërë në emër të lirisë, kjo na ka nxjerrë në shesh për tu kthyer shqiptarëve rrugën e humbur dhe lirinë e mohuar”.
Ngjela është shprehur se, “sot ju denonconi krimin e Berishës me këtë pjesëmarrje masive. E keqja është më e rrezikshme së vdekja. Ne jemi të bashkur për ti thënë ndal të keqes më të madhe që është Sali Berisha”

Nuk është koha për brohëritje, është koha për të jetuar të lirë, shprehet Ngjela duke theksuar se ëndërron që shqiptarët të jetojnë të lirë pa tiraninë e Berishës.
“Kam një ëndërr që shqiptarët të jenë të lirë dhe të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Shqipëria të jetë një shtet europian i lirë, atëherë ja ku jemi, ju dhe gjithë Shqipëria le të rrëzojmë sot tiraninë në Shqipëri, duke e detyruar sot tiranin të hapë kutitë e votimit”. Ngjela përfundon fjalën e tij duke thënë se hapja e kutive le të bëhet për vullnetin e popullit.

Leskaj: Sot Shqipëria sundohet, nuk qeveriset
Në protestën që ka më shumë se një orë që po mbahet përpara kryeministrisë ka folur edhe deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj.
Leskaj nuk ka humbur kohë të kërkojë hapjen e kutive të 28 qershorit.
“Arsyeja që prej 4 muajsh na mban peng që prej 28 qershorit është mbyllur në kutitë që po mban peng Berisha”
Sipas Leskaj, sot po protestohet për një kauz të madhe dhe jo për një kauz personale, protestohet për ti dhënë fund sundimit të kësaj qeverie.
“Shqipërisë i mungon e drejta e votës, jemi ketu për një kauz të madhe jo personale, kjo është e drejta e qytetarisë që ju e keni denoncuar në cdo qytet, në emër të lirisë dhe demokracisë, për ti dhënë fund sundimit të Sali Berishës. Shqipëria nuk qeveriset por sunddohet, por ne jemi të vedosur ti shkojmë deri në fund kauzës tonë”, thotë Leskaj.
Deputetja Leskaj ka akuzuar këtë qeveri për shkallën e lartë të korrupsionit duke u renditur në vendin e fundit në rajon.
“Kjo qeveri e ka lënë Shqipërinë në vendin e fundit në rajon, në vendin më të korruptuar në rajon.Kjo qeveri po na jep prova se është futur në një rrugë pa kthim”, thotë Leskaj.
Sipas saj ndryshimi fillon “me hapjen e kutive, për të mposhtur diktaturën e frikës, të korrupsionit, për ti kthyer shqiptarëve shtetin e së drejtës”. Në përfundim të fjalës së saj Leskaj theksoi se nuk do të futen në parlament pa u zbardhur e vërteta.

Milo: Po nëpërkëmbet demokracia
Në fjalën e tij Kryetari i PDS-së, Paskal Milo në protestën e hapjes së kutive ka thënë që duhet ti jepet fund antishtetit, pasi vendi ka nevojë për zgjidhje të krizës. Kjo sipas Milos është kauza për të cilën protestohet sot, për shtetin demokratik.

“Kauza jonë është e rëndësishme, nuk ka të bëjë me emrat e kandidatëve që iu mohua e drejta për të na përfaqësuar në Parlament. Thelbi është tek demokracia e dhunuar dhe e nëpërkëmbur, ku shqiptarët kanë mungesa të lirisë, për të votuar të lirë, për të administruar vullnetin në kutitë e votimit”, shprehet Milo
Milo thekson se, demokracia nuk ka mundur kurre te adoptohet në realitetin shqiptar. Ai ndalet të komentoje edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve.

“Ambasadoret e BE shprehën keqardhjen për shkallën e korrupsionit. Por do të bënin më mirë që të mos raportojnë realitetin shqiptar duke mos rrumbullakosur gjysmë të vërtetat”, përfundon Milo.

Ndoka: Nuk tërhiqemi pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votës
Kreu i demokristianëve Nard Ndoka i cili për herë të parë i bashkohet protestave të PS për hapjen e kutive të votimit, ndonëse kishte shprehur mbështetjen e partisë së tij për këto protesta, theksoi përpara qytetarëve të pranishëm në protesën e sotme se PDK ka provuar me fakte vjedhjen e 11 mijë votave nga ata që ai i quajti “mafia e Sali Berishës”.
“PDK u bashkua me protestën e opozitës pasi provoi me fakte se vota e qytetarëve është vjedhur nga mafia e Sali Berishës e cila ka vjedhur më shumë se 11 mijë vota” theksoi Ndoka ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetojë në varësi të fakteve të depozituara nga republikanët, të cilat sipas tij janë të mjaftueshme për të vërtetuar vjedhjen e votave.
“Faktet tona i depozituam në Prokurori, por për shkak të presionit të qeverisë, hetimi ende nuk ka nisur” u shpreh Ndoka.
Kreu i PDK theksoi se partia që ai drejton nuk do të tërhiqet pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votave, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë qetësisht.
“Mos përdorimi i dhunës është arma më e mirë që simbolizon protestën. Ju ftoj të protestojmë qetësisht” tha Ndoka.

Dule: Vullneti politik mbahet i ngujuar në kuti
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se vendi qeveriset nga një njeri që nuk mund ta cojë Shqipërinë në Bashkimin Europian për shkak se sic tha ai “në Bruksel nuk shkohet me vullnet politik të ngujuar në kutitë e votimit”.
Dule theksoi se drejt BE-së shkohet vetëm me transparencë, demokraci e institucione të konsoliduara.

Ruci: Hapni kutitë sot, se nesër do jetë vonë
Ashtu sic ishte paralajmëruar, protesta e Partisë Socialiste përpara Kryeministrisë, u hap nga deputeti Gramoz Ruci. Në fjalën e tij Ruci bëri me dije se, fillimi I kësaj proteste është vetëm fillimi i një qëllimi final kundër hajdutëve të mëdhenj të votës së lirë. Ruci ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë.
“Përshëndes këtë barrikadë të madhe njerzore e cila ngrihet ndaj hajdutëve të mëdhenj të shtetit”, tha Ruci.
Në fjalën e tij Ruci theksoi se Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga një njeri si Sali Berisha. Pasi ai është i etur për para dhe pushtet edhe pse deklaron se ka në pronësi vetëm një apartament.
“Nesër do të jemi edhe më shumë, jemi bashkë dhe mendojmë në një mënyrë. Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga banda e Sali Berishës, ai për para dhe pushtet është i gatshëm të djegë gjithë Shqipërinë. Ai që thotë se ka në pronësi vetëm një apartament e ka futur vendin në një tunel pa shpresë për të ardhmen”, thekson Ruci.
Ruci i ka bërë edhe njëherë thirrje Berishës të hapë kutitë e votimit se nesër do të jetë vonë.
“Ai këron të bëhet zot i votave të shqiptarëve. Ju votoni thotë ai se votat tuja i mbaj unë, ne i themi atij hap kutitë e votimit bëje sot, hapi kutitë se nesër do jetë vonë”!
Ruci shpreh se Berisha e ka djegur këtë vend 12 vjet më parë dhe po tenton edhe sot pas 12 të mbajë peng votat.
“Sot ketu 4 muaj pas proves se krimit electoral vota juaj eshte ende ne ate kuti.
Jemi në udhën e lirisë sonë, për të zgjedhur, për të drejtën e votës sonë, do ti themi jo sundimtarit të fundit në pushtet, atij që na vrau votën”
Ruci e ka mbyllur fjalën e tij duke iu kërkuar ndjesë kryeqytetasve për të vetmin incident të shkaktuar, atë të bllokimit të trafikut.
“Kërkoj ndjesë për një detaj. kërkoj ndjesë për problemet me trafikun, por me lejoni të them së asnjë sakrificë nuk është e tepërt. Kjo shërben për ti dhënë fund trafikut të votave, trafikut të dinjitetit”, përfundon Ruci.

Protestuesit mbërrijnë përpara kryeministrisë
Turma me qytetarët që i janë bashkuar protestës së madhe të opozitës në sheshin Skënderbej, e udhëhequr nga kryetari e deputetët e Partisë Socialiste dhe krerët e partive të tjera që janë solidarizuar me kërkesat e PS për transparencën e zgjedhjeve. Turma nën sloganet “Dua të shoh votën time” apo “Ku është vota ime” sapo ka mbërritur në sheshin përpara kryeministrisë, ndërsa i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me njerëz.

Ndërkohë ashtu sic pritej edhe deputetët e “Qëndrimit ndryshe në PS” i janë bashkuar protestës pasi ata janë shprehur pro kërkesave për hapjen e kutive të votimit ndonëse kundërshtojnë bojkotin e parlamentit.
PS ka treguar kështu se është e bashkuar kur bëhet fjalë për transparencën e zgjedhjeve.
Opozita do të ngrejë zërin përmes protestës 3 ditore për ti hapur rrugën transprencës së zgjedhjeve.

Hapja e kutive, opozita nis protestën maratonë
Nis protesta maratonë e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ashtu sic ishte parashikuar, tubimi ka nisur në orën 16:00 në sheshin Skënderbej, për të vazhduar më pas marshimin drejt bulevardit përpara kryeministrisë.
Opozita ka vendosur të ngrejë cadra në mes të bulevardit prej ku protestuesit do të qëndrojnë për tre ditë rresht përpara kryeministrisë.

Mësohet se deputetët socialistë janë të organizuar për të qëndruar nga 20 deputetë në 3 netët që do të vazhdojë protesta. Kryesocialisti pritet të qëndrojë në cadra gjatë natës së sotme.
Pranë cadrave që do të ngrihen përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”do të vendoset në mikrofon që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë kohës, prej nga oratorë të ndryshëm do të japin mesazhet e tyre.
Socialistët theksojnë se do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre nëse Berisha nuk lejon hapjen e kutive të votimit. PS bën të ditur se protesta e sotme është vetëm fillimi, pas kësaj socialistët do të shpallin qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Leja për protestën është siguruar lehtë nga policia dhe nuk ka pasur ndonjë kundërshtim lidhur me afatin 3-ditor. Por, kundërshtimi i drejtuesve të policisë mësohet që të ketë qenë për vendosjen e çadrave në mes të bulevardit, para Kryeministrisë, aty ku do të qëndrojnë edhe njerëzit me orë të tejzgjatura. Organizatorët socialistë thonë se janë marrë të gjitha masat që protesta të jetë paqësore.
(erjola nurcelli/matilda arapi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›