Rama: T‘i japim dorën njëri-tjetrit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në qytetin e Cërrikut dhe Komunën Shterpën në rrethin e Elbasanit. Sipas tij, kjo gjendje dramatike nuk mund të ndryshojë te ne, se kjo politikë e vjetër e së shkuarës nuk mund të hidhet pas krahëve, në rast se ne nuk i japim dorën njëri-tjetrit. "Na duhet të bashkohemi me çdo bashkëqytetar dhe çdo bashkëfshatar, që njësoj si ne ka nevojë për ndryshimin e madh", kërkoi Rama. Lideri i opozitës garantoi se nuk ka ardhur për të marrë vota, për të mbajtur fjalim dhe për të ikur. "Kemi ardhur këtu që t‘ju dëgjojmë juve, siç po dëgjojmë qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi në të gjithë Shqipërinë, në qytet dhe në fshat dhe për të nxjerrë mendimet e shqetësimet tuaja", u shpreh Rama. Dhe sigurisht nuk është kjo e gjitha, shtoi ai, sepse ne në çdo komunë kemi ngritur tryezat e bujqësisë dhe të zhvillimit të fshatit dhe në çdo komunë po mbledhim mendimet e njerëzve për të ndërtuar një program.