E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: T’i japim jetë bashkimit të ri përtej partive

Kreu socialist kërkoi nga banorët e Velipojës, t'i jepet jetë bashkimit të ri përtej kufijve partiakë. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë 'Dialogut" që zhvilloi në Komunën e Velipojës.

"Bashkimi mes nesh, është përgjigjja e të gjitha pikëpyetjeve që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne prej 17 vjetësh. Bashkimi mes nesh, përtej kufijve të vjetër të partive, është përgjigjja për të gjitha problemet që sot e gjithë ditën duken të pazgjidhshme", tha Rama. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët në Velipojë, kryetari socialist është shprehur se, politika që flet për veten duhet t'i lerë vend, politikës që flet për njerëzit. "Dështimet e politikës së vjetër duhet të marrin fund", është shprehur Rama, duke vënë theksin se, Partia Socialiste tashmë kërkon të ndërtojë një politikë me sytë nga njerëzit. Gjithashtu, kreu i socialisteve ka kërkuar një bashkim të ri përtej kufijve të vjetër partiakë, duke u shprehur se ka ardhur koha për t'i dhënë jetë një fuqie të re që duhet të burojë nga bindja se, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ndryshuar jetën. "Një bashkimi të ri në radhë të parë si shqiptare e shqiptarë, si qytetare e qytetarë, si prindër, apo si bija e bij prindërish, që sakrifikojnë çdo ditë padrejtësisht për shkak të një politike të  vjetër, që na ka ndarë e përçarë, jo në emër të qëllimeve dhe interesave tona, por në emër të qëllimeve dhe interesave të politikanëve", tha Rama.
Kreu socialist tha se “kjo nuk është rezultat i mungesës së ujit, kjo është rezultat i mungesës së qeverisjes, kjo është rezultat i mungesës së një politike të njerëzve, të një politike për njerëzit, kjo është rezultat i një politike të vjetër, që për 17 vjet na ka dhënë kaq shumë zhgënjime”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›