E Diel, 1 Nëntor 2026

Urimi i Topit “Besimet fetare, misionare të forcimit të demokracisë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria dhe kanë qenë misionare të forcimit të demokracisë në Shqipëri, kështu që kemi çka të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh”

Besimet fetare janë një shembull i mirë paqeje, mirëkuptimi dhe misionare të forcimit të demokracisë. Kështu ka pohuar dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë vizitës në selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me rastin e Ditës së Krishlindjeve. Duke uruar të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, Topi tha se besimet fetare mund të shërbejnë si një shembull shumë i mirë edhe për politikën shqiptare. Presidenti theksoi se kjo është një shenjë e qartë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme që të inspiron për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë e harmoni.
Urimi
Me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, vizituan selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, dhe më pas selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku mirëseardhjen ua uroi Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita. Në këtë ditë feste për mbarë krishterimin, Kryetari i Shtetit u përcolli përmes mediave të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë kudo ndodhen, urimet më të sinqerta e të përzemërta. “Natyrisht që sot është një ditë shumë e veçantë, një ditë e gëzuar. Dëshiroj të jap një mesazh urimi për të gjithë besimtarët e krishterë dhe ky mesazh është për të gjithë popullin shqiptar”, - tha Topi, ndërsa shtoi se “besoj se nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se Festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin”. Ai u shpreh se kjo ditë festive është shenjë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë, më shumë harmoni. Topi nuk ka harruar politikën edhe në këtë ditë, ndërsa nëpërmjet mesazheve të tij ka kërkuar më shumë mirëpkuptim dhe mes politikanëve. Madje, për këtë ai mori pikërisht shembull tolerancën fetare. “Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria dhe kanë qenë misionare të forcimit të demokracisë në Shqipëri, kështu që kemi çka të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh. Ju uroj edhe një herë të gjithëve! Gëzuar”, - përfundoi Kreu i Shtetit mesazhin e tij. Besimtarët e krishterë festuan dje festën e lindjes së Krishtit. Me rastin e kësaj feste mesnatën e së mërkurës ata kanë festuar në kishë, duke i uruar njëri-tjetrit mbarësi dhe harmoni. Dy ditë më parë, presidenti Bamir Topi u ka uruar festën të gjithë besimtarëve nëpërmjet një mesazhi urimi dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastasios Janullatos, dhe Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita. Gjithashtu, vetë kreu i Kishës Ortodokse, Janullatos, në mesazhin e tij, ndryshe nga vitet e kaluara, ka prekur situatën shqetësuese të njerëzimit që, sipas tij, po denatyron mënyrën se si festohet Krishtlindja. Ai tha, ndër të tjera, se në vend të përulësisë, mbizotëron lakmia për pasuri materiale, ndërsa përbuzet e mira shpirtërore. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë foli dhe për krizën globale dhe apeloi për zgjidhje nëpërmjet një ndryshimi rrënjësor, bazuar në vetëpërmbajtje.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›