Rama, asnjë cicërimë për ligjet - Amnistia fiskale, pengu i tij i radhës

Reagon ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Në daljen e parë zyrtare, vetëm një ditë pas miratimit të 3 ligjeve për statusin e kandidatit në BE, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu e ka vlerësuar një ngjarje të madhe, ndërsa shtoi se me votimin e tyre Shqipëria është një hap më pranë Europës. “Ky është momenti ynë, jemi një hap më afër realizimit të ëndrrës së të gjithë shqiptarëve. Me Berishën dhe demokratët, ne u anëtarësuam në Këshillin e Evropës, nënshkruam marrëveshjen e stabilizim asociimit, u anëtarësuam në NATO, liberalizuam vizat. Berisha dhe demokratë udhëhoqën rrugën drejt BE-së, duke plotësuar të gjithë bashkë, me maxhorancën kushte për marrjen e statusit. Berisha dhe demokratët do të çojmë Shqipërinë në BE”- deklaroi Bregu. Në daljen për media, Bregu ka sulmuar edhe kryesocialistin Rama jo vetëm për kalimin në heshtje të ngjarjes, por edhe për vazhdimin e serialit të bllokimit, duke iu referuar refuzimit të amnistisë fiskale. “Duket se sindroma e bllokimit nuk ka ndërmend të marrë fund ka shpejt. Rama nuk i përmendi fare ligjet, as një cicërime nuk pati, as një deklaratë. Aq e fortë është sindroma e bllokimit sa i detyroi dje deputetët e tij të bllokojnë aministinë fiskale. Votimi i amnistisë do rilindte ekonomikisht shumë njerëz. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk e çlirojmë dot nga sindroma e bllokimit, por e detyruam të votojë tre ligjet dhe pse me vonesë”- tha Bregu.
Partia Demokratike reagon ndaj indiferencës së kreut të Partisë Socialiste/Partia Demokratike reagoi ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili “në vend të kërkimit falje nga qytetarët që bllokoi 3 ligjet për Europën pa asnjë arsye, Rama vazhdoi me heshtjen e fajtorit!”. “Sot, si gjithmonë i çoroditur, Edi Rama vazhdoi me organizimet gju më gju me militantët që i thurin lëvdata dhe komplimente, në vend të ballafaqimit direkt me qytetarët! Në vend të marrjes së përgjegjësisë për veprimet e tij, Rama gjithmonë mundohet të fshihet dhe të largohet nga skena e krimit. Në vend të kërkimit të faljes për rritjen e taksave, Rama u mundua ta mbulonte me shpresën se qytetarët do ta harronin, por qytetarët e Tiranës do ta mbajnë mënd gjithmonë se Rama është një rritës taksash serial! Rama rriti taksën e reklamës për biznesin me 300%. Rama rriti taksën e biznesit të vogël për pastrim me 500%. Rriti taksën e pastrimit për biznesin e madh me 223.000 Lek në vit. Rama rriti taksën e tabelës për biznesin me 50% . Rama rriti taksën e tavolinës së restoranteve me 400%. Madje Rama sajoi edhe një taksë të re për të fjetur në hotel dhe rriti edhe taksat për familjet. Rama rriti taksën e gjelbërimit për familjet me 250% dhe taksën e pastrimit për familjet me 5000%”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas PD-së, “Rama i dyfishoi taksat si Kryebashkiak. Historiku i Ramës është i bazuar tek rritja e taksave dhe shkatërrimi i vendeve të punës. Madje ai edhe protestoi, vetëm e vetëm që të rriste taksat!” Këto janë fakte, vijon PD “dhe nuk ka rëndësi se sado që të mundohet të vrapojë Rama nga historiku i tij, nuk mund të distancohet nga veprimet që ai vet i ka kryer”. “Të gjithë qytetarët Shqiptarë vlerësuan uljen nga Kryeministri Berisha me 50% të taksës së biznesit të vogël; uljen me 50% të kontributit të sigurimeve shoqërore; uljen me 150% të tatimit mbi fitimin; uljen me 130 % të tatimit mbi të ardhurat personale dhe tani së fundi heqjen e TVSH-së dhe të çdo tarife doganore për makineritë dhe të gjitha materialet që nevojiten për prodhim për të gjitha llojet e biznesit; heqjen e tatimit e të ardhurave personale prej10%!”, thuhet në deklaratën e PD-së “Për të gjithë punonjësit me paga nën 30 mijë Lek qytetarët e Tiranës vlerësuan vendimin e Z. Basha për të eliminuar 60 taksa dhe tarifa vendore, nismë e cila u miratua në Këshillin Bashkiak edhe nga anëtarët e Partisë Socialiste, vetëm 3 muaj më parë. Partia Demokratike do të vazhdojë të punojë për taksa të ulëta të cilat na mbajnë konkurrent në tregjet rajonale duke ndihmuar rritjen e investimeve te huaja dhe vendit dhe në hapjen e më shumë vendeve të punës!”, përfundon deklarata e PD.