Shorti, reagimet e para, Dunga: Grup i “vdekjes”
Trajneri i Brazilit Karlos Dunga e ka quajtur “grup vdekje” grupin G, ku bëjnë pjesë veç skuadrës së drejtuar prej tij edhe Bregu i Fildishtë, Portugalia e Koreja e Veriut. Brazilianët, 5 herë kampionë të botës, do të ndeshen me Portugalinë e Kristiano Ronaldos dhe Bregun e Fildishtë të Didier Drogba, ndërsa Koreja e Veriut do të mundohet t’i prishë punë ndonjërës prej këtyre 3 superfuqive. “Grupi ynë është më i vështiri, - deklaroi trajneri i Brazilit Karlos Dunga. – Gjithsesi, skuadrat kanë një nivel aq të përafërt me njëra-tjetrën sa nuk ka më ndeshje të lehta. Sfida me Portugalinë do të jetë si Brazili A kundër Brazilit B, pasi ka shumë brazilianë që luajnë me kombëtaren luzitane”, shtoi ai. Shorti ka qenë i mëshirshëm me Anglinë e Kapelos, që e ka vendosur me Shtetet e Bashkuara, Algjerinë dhe Slloveninë. “Asnjë prej ndeshjeve që duhet të luajmë nuk është e lehtë, - tha Kapelo. – Algjeria mundi Egjiptin, kështu që nuk është e lehtë. Gjithnjë ka patur grupe që duken të lehtë, por në fund komplikohen”. Edhe për Devid Bekham, asgjë nuk është e lehtë. “Është grup interesant, në Kupën e Botës asnjë ndeshje s’është e lehtë. Gjithsesi, jemi të nderuar që marrim pjesë në këtë eveniment”, deklaroi Bekham. Ndërkohë Italia kampione bote ka rënë në një grup të lehtë me Paraguajn, Zelandën e Re dhe Sllovakinë. “Mund të kishte shkuar më keq, - deklaroi trajneri italian Marçelo Lipi. – Kam shumë respekt për kundërshtarët tanë, por natyrisht që ky është një grup i kalueshëm”, shtoi ai. Ndërsa, Gjermania nuk do ta ketë edhe aq të lehtë, pasi shorti e vuri në një grup me Australinë, Serbinë dhe Ganën. Gjermanët fituan 6-1 ndaj ganezëve në ndeshjen e vetme mes tyre më 1993, por tashmë afrikanët janë ekip tjetër. “Tani ata ndodhen në një fazë tjetër, janë të disiplinuar dhe me mentalitet ndryshe, - tha tekniku i Gjermanisë Joakim Lëv. – Ganezët kanë shumë dhunti teknike, gjë që i bën të rrezikshëm”. Gjithsesi, Gjermania duhet thënë se nuk ka humbur asnjë ndeshje në grup që prej asaj të vitit 1986, 0-2 me Danimarkën.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)