Rama i dhuron presidentit slloven ”Çelësin e Kryeqytetit”
TIRANE- Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka pritur sot, në ditën e dytë të vizitës së tij në vendin tonë, Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk.
Pas fjalëve të mirëseardhjes, Kryetari i Bashkisë i ka dhuruar kreut të shtetit slloven, ”Çelësin e Kryeqytetit”, një shenjë vlerësimi që Kryetari i Bashkisë rezervon për njerëz të shquar e vizitorë të nderuar të Tiranës.
Presidenti slloven, për të cilin ishte hera e parë që vinte në Shqipëri, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në kryeqytetin shqiptar.
Biseda mes Kryetarit të Bashkisë Edi Rama dhe presidentit, Danilo Turk u përqëndrua kryesisht në eksperiencat që ndajnë dy vendet ballkanike.
Kryetari i Bashkisë e njohu presidentin slloven me ndryshimet pozitive dhe zhvillimin e kryeqytetit shqiptar gjatë këtyre viteve, si dhe për faktin që Tirana tashmë është një metropol në zhvillim dhe rritje të vazhdueshme, në sytë e të gjithë vizitorëve.
Nga ana e tij, Presidenti i Sllovenisë u interesua gjithashtu lidhur me binjakëzimet që kryeqyteti shqiptar ka me qytete të tjera, shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimet në aspekte të ndryshme si ato sociale, kulturore, etj.
Biseda u karakterizua nga një frymë e ngrohtë dhe miqësore.
(e.n/News24/Balkanweb)