E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama, i humbur nga pakti me PD”

Proporcionali rajonal dhe pakti me Berishën do të dëmtojë vetë Ramën. Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, në një analizë të gjatë të ndryshimeve kushtetuese dhe situatës në të majtën shqiptare, shprehet se ndarja e votave në kampin opozitar favorizon të djathtën e rreshtuar në një listë.

Aristir Lumezi

I ftuar në emisionin "Top Shou" në Top Channel, ish-kreu i shtetit tha se sistemi proporcional rajonal, në kushtet e mungesës së konsensusit nga të gjitha partitë, do të favorizojë Berishën. "Humbësi i paktit Rama-Berisha është vetë Rama. Çarja e votave të së majtës dhe rreshtimi i të djathtës, mesa duket në një listë të vetme rrit mundësinë e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme nga PS-ja dhe vetë humbjen e zotit Rama", u shpreh Meidani. Por ish-kreu i shtetit bëri një analizë dhe të zgjedhjeve të fundit në Itali, duke gjetur paralelizma në politikën shqiptare. Ai tha se kreu socialist, Edi Rama, përdor terminologjinë e Veltronit në 'Dialogun' që bën në të gjitha zonat e vendit. "Nëse Veltroni do të kishte fituar në Itali, do të thoshim që zoti Rama do të kishte më shumë garanci për të qenë i suksesshëm duke përdorur tezat e tij. Kushtet konkrete janë të tilla, që mundësinë e fitores e kanë shumë të ulët dhe ashtu siç dështoi Veltroni, mund të dështojë edhe ndonjë forcë tjetër që përpiqet ta imitojë atë", tha Meidani. Duke shprehur rezerva për mënyrën se si u bënë ndryshimet kushtetuese, Meidani tha se ato ishin të qëllimshme. "Nuk duhet shkuar në ekstremet e refuzimit për bashkëpunim apo për përjashtim. Gjithnjë gjenden hapësira bashkëpunimi, pasi kur janë gjetur hapësirat për interesat e tyre (Rama-Berisha), ku unë nuk shoh ndonjë interes për vetë PS-në, përse të mos bashkëpunohet brenda të majtës. Ngërçi forcohet më shumë kur njëra palë përdor urgjencën, befasinë dhe prepotencën në bërjen e ndryshimeve kushtetuese", u shpreh Meidani. Ish-presidenti i vendit ishte i mendimit se ndryshimet kushtetuese duhej të ishin bërë mbi bazën e një diskutimi të gjerë dhe votimi nga populli. "Duhej të ishte bërë një diskutim i gjerë me grupet e interesit, me deputetët, me kostitucionalistë dhe vetëm atëherë do të duhej t'i drejtoheshin popullit për ta miratuar. Kam bindjen se përshpejtimi dhe injorimi i këtij procesi kishte si qëllim miratimin e ndryshimeve vetëm me vullnetin e dy partive, pasi në këtë formë që u bënë këto ndryshime, asnjë nga palët nuk do të kishte pranuar", tha Meidani. Ish-kreu i shtetit tha se vetëm miratimi nga populli do të ishte në frymën e vetë Kushtetutës së 1998. "PD dhe PS duhet të marrin miratimin e Kushtetutës në popull, pasi janë ndryshime që prekin frymën e saj. Me këto ndryshime është një veprim që dobëson rolin e kryetarit të shtetit, i jep më shumë kontroll maxhorancës parlamentare dhe kryeministrit të saj", tha Meidani. Në analizën e tij për ndryshimet kushtetuese, e veçanërisht në atë për sistemin zgjedhor, Meidani tha se qëllimi i tij është eliminimi i partive të tjera, më të vogla. "Jam për sistemin proporcional të pastër, pasi ai do të nxirrte peshën elektorale reale të çdo partie. Qëllimi i sistemit rajonal ishte ngushtimi deri në eliminimin e partive të vogla. Politika shqiptare nuk e ka arritur ende atë stad zhvillimi për të pasur një sistem mbipartiak", tha Meidani. Ish-kreu i shtetit shpreson se edhe me këtë sistem të miratuar mund të arrihet një farë konsensusi përmes një korrigjimi në rang kombëtar të proporcionalit rajonal. "Pra, për një numër të caktuar deputetësh apo vendesh në Parlament, të bëhet korrigjimi në rang kombëtar dhe kjo mund të ketë edhe miratimin e partive të vogla", tha Meidani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›