E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolucioni i Hanit nis me ikjen e 4 veteranëve

"Do të përpiqem të rinovoj ekipin Kombëtar", tha Ari Han gjatë vizitës së fundit në Shqipëri.

JETMIR HALILAJ

Holandezi e ka mbajtur fjalën, pasi në listën e lojtarëve që do të grumbullojë për miqësoren me Poloninë, jo vetëm që ka lënë jashtë disa pjesëtarë të "gardës së vjetër" si Bushi, Haxhi, Dede dhe Muka, por ka thirrur edhe lojtarë të rinj, si Bakaj, Hyka, Lila dhe G.Lika. Në këtë mënyrë trajneri ka ulur ndjeshëm mesataren e moshës së skuadrës kuqezi, sepse katërshen që i kishte kaluar të 30-at e ka zëvendësuar me lojtarë 21 apo 22-vjeçar. Padyshim që nuk kanë munguar surprizat, siç janë thirrja e Paulin Dhëmbit, apo rikthimit në repartin e mbrojtjes të Ansi Agollit dhe Endri Vrapit. Ari Han ka vendosur të grumbullojë vetëm dy portierë për këtë miqësore, Arjan Beqajn dhe Isli Hidin, duke lënë sërish jashtë Ilion Likën. Gardiani që aktivizohet te skuadra çeçene e FC Terek Grozneit u paraqit shumë mirë në muajin janar gjatë zborit që u zhvillua në Turqi, por megjithatë nuk ka arritur të fitojë konkurrencën me dy rivalët e tjerë në ekip. Nevil Dede duket se është përfundimisht jashtë planeve të teknikut holandez. Kjo është e vlefshme edhe për Altin Haxhin, pasi që të dy nuk janë grumbulluar në këtë takim dhe shkaku kryesor është mosha e tyre e madhe, apo fakti që Dede luan Kinë, dhe për të udhëtuar drejt Shqipërisë i duhet të bëjë shumë orë udhëtim. Në vend të tyre Han ka vendosur të marrë Ansi Agollin, i cili luan me finlandezët e Vasas. Ish-mbrojtësi i Tiranës ishte në një formë të shkëlqyer gjatë zborit që u zhvillua në Kemer të Turqisë dhe e ka bindur teknikun holandez që t'i japë një shans. Vrapi dhe Lila cilësohen gjithashtu, si dy alternativa të mira për një vend si mbrojtës krahu, ndërsa Dhëmbi me shumë mundësi është projektuar nga tekniku për në qendër të mbrojtjes. Lufta për një vend titullari në repartin qendror është më e ashpër se kurrë. "Të paprekshmit" Lala, Skela e Cana, tani kërcënohen nga rivalë që gjithashtu, kanë bërë një sezon shumë të mirë. Bulku, Bylykbashi, Shkëmbi dhe G.Lika janë kandidatë seriozë për një vend në formacionin kuqezi dhe janë në pritje të ndonjë gabimi të rivalëve të tyre. Ndryshe nga lista që Han kishte projektuar në muajin mars për dy ndeshjet që nuk u luajtën kundër Arabisë Saudite dhe Moldavisë, këtë radhë ai ka vendosur të marrë në skuadër bomberin shkodran, Hamdi Salihi, i cili shënoi 14 gola me Riedin gjatë këtij sezoni. Bogdani dhe Kapllani vazhdojnë të jenë favoritët për një vend titullari, megjithëse gjithçka mbetet e hapur deri në fillim të edicionit të ardhshëm.

Lista e Kombëtares

Portier
Arjan Beqaj(Anorthosis F.)
Isli Hidi    (Krivbas)
Mbrojtës
Andi Lila (Besa)
Armend Dallku   
(Vorskla Poltava)
Kristi Vangjeli (Aris Selanik)
Debatik Curri    
(Vorskla Poltava)
Endri Vrapi     (Tirana)
Ansi Agolli    (FC Vasa)
Mesfushor
Lorik Cana (Marsejë)
Klodian Duro (Tirana)
Ervin Skela (Energi Kotbus)
Altin Lala (Hanover)
Ervin Bulk (FC Krivbas)
Elis Bakaj(Partizani)
Gilman Lika (Vllaznia)
Paulin Dhëmbi (Partizani)
Bledi Shkëmbi (Partizani)
Sulmues
Edmond Kapllani(Karlsruhe)
Erjon Bogdani(Livorno)
Jahmir Hyka (Tirana)
Hamdi Salihi (Ried)
Dorian Bylykbashi (Krivbas)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›