E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria rrugore, nis fushata sensibilizuese

 Koalicioni Shqiptar për Sigurinë në Rrugë nis fushatën "Mendohu Mirë", një fushatë ndërgjegjësimi publik në mbështetje të drejtimit me përgjegjësi të automjeteve. Koalicioni Shqiptar për Sigurinë në Rrugë është fryt i partneritetit të dhjetë organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare. Koalicioni synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të edukojë publikun shqiptar mbi masat e sigurisë rrugore, si dhe të mbështesë drejtimin me përgjegjësi të mjeteve. Aksidentet e shkaktuara nga trafiku rrugor përbëjnë problem shëndetësor dhe zhvillimi kombëtar, dhe numri i tyre vetëm po rritet në nivele alarmante. Numri i aksidenteve të trafikut në Shqipëri është 3,5% më i lartë se në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. Statistikat më të fundit të bëra publike nga Policia e Shtetit për vitin 2009 tregojnë shkallën e seriozitetit të problemit. Vitin e kaluar në Shqipëri kanë ndodhur 1465 aksidentet rrugore. Si pasojë 378 persona kanë humbur jetën; 374 kanë pësuar plagë të rënda dhe 1081 persona kanë pësuar plagë të lehta. Rreth 85% e aksidenteve  kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë së shoferit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit duke shkaktuar vdekjen e mbi 300 personave gjatë vitit 2009. Gjithashtu gjate vitit 2009 një numër i konsiderueshëm aksidentesh, mbi 200, kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe shkeljes së rregullave nga këmbësorët. Numri më i madh i të aksidentuarve dhe viktimave të aksidenteve i përket moshës 24 deri në 35 vjeç dhe mbi 80% e tyre janë meshkuj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›