E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër Llallës: Të ngrihet një Task Forcë për veprat penale në fushatën zgjedhore

TIRANE- Kreu i PS-së Edi Rama, i ka dërguar sot një letër Prokurorit të Përgjithshme, Adriatik Llallës ku e vë në dijeni për problematika të karakterit penal, sic i quan Rama të vërejtura gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas kreut të PS, po i bëhet presion individëve per të marrë pjesë në aktivitete politike, studentëve të sistemit parauniversitar, nënpunësve të administratës publike.

“Ka më shumë se një javë që ka filluar fushata zgjedhore dhe që në fillim të kësaj periudhe janë hasur problematika të karakterit penal, të parashikuara këto edhe në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Penal. Partia Socialiste e Shqipërisë o konstaton gjithmonë e më shpesh problematika që po pengojnë ushtrimin lirisht të të drejtave kushtetuese të shtetasve dhe subjektet zgjedhore që garojnë në këtë proces zgjedhor dhe po përpiqet ti dokumentojë ato. Gjithashtu, kjo gjëndje shqetësuese është pasqyruar dhe vijon te pasyrohet përditë në median e shkruar, elektronike dhe atë sociale, me fakte konkrete dhe emra konkret. Fakte të tilla si presion individual apo familjar për devijimin e votës, detyrim per të marrë pjesë në aktivitete politike, të studentëve të sistemit parauniversitar, nënpunësve të administratës publike apo dhënie e marrje premtimi për tregtimin e votes, përbejne jo vetëm një shqetësim serioz per cënimin e garimit të ndershëm, por përbëjnë vepra penale të cilat duhet të evidentohen dhe ndëshkohen nga ana Juaj”, shprehet Rama.

Ndër të tjera Rama i kërkon Llallës, “ndërmarrjen e masave organizative, për krijimin e një Task Force, që të ketë si objekt të sajin të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal, duke patur në vëmendje situatën e ngarkuar, në çdo aspekt të sajin, që është krijuar tashmë dhe pritet të theksohet më tej gjatë ditëve në vijim, për periudhën e fushatës zgjedhore”.

“Shpreh besimin dhe bindjen time të plotë, se kërkesa që po ju paraqes do të vlerësohet prej Jush me rëndësinë dhe emergjencën, që ajo ka dhe do të ketë si përgjigje realizimin e një pune serioze, krejtësisht të pavarur nga aktoret dhe faktoret politike, sikurse jeni zotuar për të bërë dhe sikurse unë personalisht dhe të gjithë shqiptarët kemi shpresën, që do te arrini të përmbushni”, thotë ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›