E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbron buxhetin e bashkisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, zhvilloi sot një takim të hapur në Pallatin e Kongreseve në mbrojtje të buxhetit të institucionit që drejton, i cili është rrëzuar dy herë nga anëtarët e Këshilit Bashkiak. Për mbi një orë, kryebashkiaku Rama ka folur me detaje për buxhetin e vitit 2009, duke ripërsëritur në fjalën e tij se ky buxhet është i qytetarëve dhe jo i politikanëve."Interesat dritëshkurtëra të politikës rrëzuan buxhetin e Tiranës, buxhetin e debatuar, të detajuar, dhe padyshim me të mirin që kemi hartuar deri më sot për kryeqytetin dhe për komunitetin" u shpreh Rama. Sipas tij, " interesa të tjera nga ato të qytetarëve, arsye të tjera nga ato të ekspertëve, arsye të tjera nga ato të votuesve bashkuan në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, votat kundër buxhetit të të gjithë kryeqytetit". "Buxhetin e Tiranës e rrëzuan veset e një politike të vjetër prej 18 vjetësh, politikanët dhe interesat e ngushta të cilat sakrifikuan këtë herë qytetaret dhe qytetarët e Tiranës, të qendrës dhe të çdo periferie, që gjatë dëgjesave publike kanë kërkuar dhe kanë votuar investime për rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe parqe apo shërbime me cilësore në pastrim", pohoi Rama. Më tej Rama kërkoi, "që të gjithë duhet të përballojmë një situatë të jashtëzakonshme, sepse kemi një fuqi të jashtëzakonshme për këtë qytet të jashtëzakonshëm, i cili nuk meriton të mbetet peng".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›