Remi në duelin televiziv Merkel - Steinmeier
Me shumë kureshtje dhe interes u ndoq në Gjermani dueli elektoral mes dy kandidatëve kryesorë të zgjedhjeve parlamentare të 27 shtatorit. Sipas anketimeve pas duelit, të dy patën thuajse të njëjtin rezultat.
Një nga temat e para të debatit ishte kriza ekonomike. Angela Merkel u shpreh për koordinim në nivel ndërkombëtar: "Ne kemi nevojë për rregulla në tregun ndërkombëtar financiar, nga njëra anë, dhe për eksportimin e parimeve të tregut social. Prandaj edhe unë jam për një rregulla ndërkombëtare për ekonomi të qëndrueshme", - tha ajo.
Ndërsa rivali i saj, Steinmeier, u tregua më sulmues, duke kujtuar padrejtësinë që ekziston për shkak të të ardhurave tepër të larta të menaxherëve dhe pagave tepër të ulëta të punonjësve të thjeshtë: "Prandaj, zonja Merkel, nuk mjafton vetëm të përmirësojmë kontrollin në nivel ndërkombëtar, por ne duhet të fillojmë me ndryshime edhe brenda vendit e kjo do të thotë, që t'u vëmë kufi të qartë rrogave të menaxherëve, boneve si dhe shpërblimeve kur ata largohen nga puna". Po ashtu, Steinmeier u shpreh për vendosjen e kufirit të poshtëm të pagave, pasi shumë njerëz në Gjermani nuk janë në gjendje të jetojnë nga pagat e tyre dhe krahas rrogës marrin edhe ndihmë nga shteti.
Një temë tjetër ku u vunë re dallime të vogla ishte ajo e mbylljes së centraleve që prodhojnë energji atomike. Edhe këtu Steinmeier sulmoi Merkel-in dhe e detyroi atë të dilte në defensivë: "Unë po e theksoj se energjia bërthamore është e pranueshme si teknologji kalimtare dhe ajo duhet të jetë në nivel të lartë sigurie. Por, ndryshe nga socialdemokratët, unë them se mund të prodhojmë energji bërthamore edhe mbas vitit 2020", - tha ajo, duke argumentuar se përzierja e dy energjive është më eficiente dhe i mban më të ulëta çmimet e rrymës.
Më i vendosur se Merkel u tregua Steinmeier edhe në lidhje me politikën ndaj Afganistanit, duke kërkuar që deri në fund të legjislaturës së ardhme në Afganistan të jenë krijuar kushtet e përshtatshme për të filluar me tërheqjen e trupave gjermane, ndërsa Angela Merkel në këtë pikë nuk donte të paracaktohej që më parë.
Përshtypja e shumë analistëve është se as njëri e as tjetri nuk do të ishin kundër vazhdimit të qeverisjes në konstelacionin aktual, Merkel Kancelare, Steinmeier ministër i Jashtëm.
Në përgjithësi, të dy kandidatët dolën që ishin në konsensus: Dallimet ishin në nuanca të vogla. Vetëm për një çështje ata u pozicionuan qartë në fronte të kundërta: Ndërsa Merkel është për uljen e tatimeve për ndërmarrjet, duke premtuar kështu më shumë rritje ekonomike si zgjidhje për të dalë nga kriza, Steinmeier thotë se kjo është e parealizueshme: "Nëse ju do të kërkoni të ulni tatimet me 50 miliardë euro, atëherë për t'i rifinancuar ato na duhet një rritje ekonomike prej 9 për qind e këtë Gjermania nuk e pasur kurrë në historinë e saj", - argumentoi ai.
Me këtë dhe sulme të tjera të vogla ndaj Kancelares, Steinmeier, i cili e njeh mirë materien, jo vetëm si ministër i Jashtëm në legjislaturën aktuale, por edhe si shef i zyrës kancelare në kohën e Schröder-it, arriti të fitonte shumë më tepër pikë se ç'pritej: Sipas anketimit të televizionit publik ARD, rezultati i duelit ishte i barabartë. Për rrjedhojë, socialdemokratët mund të shpresojnë që të përmirësojnë rezultatin nëpër anketimet parazgjedhore, i cili aktualisht është 23 për qind, më i ulëti në historinë e tyre që nga formimi i RFGJ-së. Nuk pritet që pas këtij dueli Steinmeier të fitojë më shumë vota se Merkel, por duket se shanset për vazhdimin e dyshes aktuale Merkel - Steinmeier janë shumë realiste.