E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Fushë Arrëz: Do ta transformojmë së bashku Shqipërinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar udhëtimin e tij elektoral drejt Fushë-Arrëzit për të prezantuar Programin e ri të Partisë Socialiste. Rama ka folur me banorët e këtij qyteti për masakrën që i është bërë në vite pasurisë së përbashkët, pyjeve, të cilat janë prerë e masakruar duke prishur ekosistemin dhe mbi të gjitha të ardhmen e vendit. Pasuritë e përbashkëta mund ti kthejmë në mirëqenie për të gjithë, u shpreh Rama. Kryesocialisti u ndal dhe tek një fenomen tjetër, siç është largimi masiv i të rinjve dhe të rejave nga Fushë Arrëzi pasi nuk gjejnë asnjë motiv për të jetuar me punë të ndershme në vendin e tyre. Ky fenomen duhet të ndalet dhe PS me programin e saj të ri do bëjë çmos që të gjithë të jetojnë me punë të ndershme në tokën e të parëve, tha Rama. Kreu i opozitës foli për masakrën që po u ndodh sot pyjeve shqiptare. Në këtë kontekst ai tha se, ne do të marrim të gjitha masat e do bëjmë gjithçka me mish e me shpirt që ta ndalim këtë shkatërrim e që pasuritë tona të përbashkëta ti vëmë në dispozicion të shoqërisë sonë, duke ndryshuar rrënjësisht dhe marrëdhëniet me zonat rurale. Më tej, duke detajuar të gjitha pikat e programit të ri në lidhje me zhvillimin rural, kreu i socialistëve u shpreh se nuk ka arsye që ne të shikojmë me zili nga fqinjët tanë. Nuk ka arsye që ne të shikojmë nga qielli e mos marrim përgjigje, ndërkohë që kemi një vend që është dhuratë bujare e Zotit, të cilin ne do e kthejmë në vendin e mirëqenies së përbashkët. Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka premtuar që nga komuna Këmishtaj e qytetit të Lushnjës, aprovimin në Parlament të Kodit të Tokës. Duke vijuar prezantimin e zhvillimit rural dhe të bujqësisë, Rama ka theksuar se nëpërmjet  kapitalizmit të tokës dhe futjes në treg të kapitaleve PS mund të bëjë politika favorizuese për fshatin. Të gjithë legjislacionin ekzistues mbi pronën në fshat dhe në tërësi ne do ta kthejmë në një kod të tokës. Do të ndërtojmë dhe aprovojmë në Parlament Kodin e Tokës, është shprehur Rama. Kryesocialisti Rama, gjithashtu ka premtuar regjistrimin në të gjitha zonat kadastrale të vendit dhe nxitjen e zhvillimit të tregut të tokës, duke ofruar qoftë lehtësi fiskale, qoftë lehtësi procedurale. Nuk mund të ketë treg shqiptar të zhvilluar pa tregun e tokës dhe nuk mund të shkojmë larg pa futur kapitalizmin në fshat, ka theksuar Rama
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›