Rama në Lezhë, foto me ish-të përndjekurin Miri

Kreu i PS, Edi Rama, me ish-të burgosurin politik Dod Miri
Kryesocialisti Rama, i ndodhur dje në qytetin e Lezhës mes të rinjve, është takuar dhe me ish-të burgosurin politik Dod Miri, nga i cili kishte marrë pak ditë më parë një SMS mbështetës. Vetë Rama, pas takimit me të rinjtë, ka publikuar një foto me ish-të burgosurin politik. “Me të burgosurin politik Dod Miri në Lezhë, ku më takoi përzemërsisht pasi mori pjesë në takimin e PS-së”, shkruan Rama në Twitter. Pak ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë në Korçë, Rama lexoi një SMS të dërguar nga Dod Miri, i cili shprehej i zhgënjyer nga trajtimi që i është bërë deri tani kësaj kategorie. Në ditët në vijim, ky SMS i Dod Mirit i lexuar nga Rama, u interpretua si i pavërtetë, ndërsa kreu i PS-së publikoi numrin e telefonit dhe SMS-në e nisur nga ish-i burgosuri politik. Dje në Lezhë Rama mori pjesë në një takim, ku shumë të rinj morën teserën e PS-së. Në Twitter Rama shkruante se Lezha është ndër qytetet më të suksesshme në rritjen e numrit të anëtarëve. “Ndër të gjitha rrethet e vendit, Lezha është zona ku procesi i hapjes së PS-së, ka deri tani suksesin më të madh: Anëtarësia është rritur me 61%! Mbresëlënës numri i grave dhe vajzave të anëtarësuara gjatë këtij procesi në qytet e komuna: 383! Shembull për t’u marrë nga gjitha rrethet. 1114 anëtarësime!”, shkruan Rama në Twitter. Të shtunën pasdite, Rama ka qenë në qytetin e Librazhdit, ku ka shpërndarë 350 karta anëtarësie. Rama u ka bërë thirrje të rinjve të merren me politikë për të sjellë ndryshime në Shqipëri. “Nëse kanë kaluar 22 vjet nga dita kur Shqipëria u çlirua nga kthetrat e diktaturës dhe mbetet peng i një të keqeje të madhe që i merr frymën çdo ditë, mund të kalojnë edhe 22 të tjerë në qoftë se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk i thonë ndal kësaj të keqeje dhe nuk marrin në dorë fatin e tyre, siç keni vendosur ta merrni ju, duke u bërë sot anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste”, është shprehur Rama në këtë takim.
PAPUNËSIA
Kryesocialisti tha se papunësia është plaga më e madhe që po rëndon mbi 1 milion shqiptarë. “Ata që janë të papunë, janë dhe të pasiguruar dhe që nuk mund të sëmuren se mbeten përpara derës së spitalit, sepse nuk kanë lekë për të paguar kujdesin shëndetësor. Ne duam që shërbimi shëndetësor të jepet sipas nevojës, jo sipas mundësisë që ka njëri apo tjetri për të paguar,” është shprehur Rama në Librazhd.
Zbulohet logoja e fushatës së PS së Tiranës në Facebook
Partia Socialiste e Tiranës ka nisur fushatën e anëtarësimeve të reja. Dje, në Facebook është hapur një profil i ri përmes të cilit ftohen të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e projektit socialist. “Anëtarësohu n’PS! Unë jam PS, ti je?!” është slogani i kësaj fushate. Partia Socialiste e Tiranës ka hyrë në një ristrukturim të plotë të saj. Po bëhet regjistrimi i të gjithë anëtarësisë, ku çdo anëtar aktiv i saj po plotëson formularin e anëtarësimit dhe po pajiset me kartën njëvjeçare të kuotizacionit. Përveç këtij procesi që po ndodh edhe në disa qarqe të tjera, si Vlora, Shkodra, Lezha, në Tiranë do të ketë një aksion të gjerë për anëtarësime të reja. Për një muaj rresht, zyrat e PS-së në të gjitha njësitë vendore të Tiranës do të jenë hapur nga ora 09:00 e deri në 21:00 të mbrëmjes, për të pritur të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e Partisë Socialiste. Gjithashtu, në këtë fushatë do të përfshihen 40 të deleguarit e Asamblesë Kombëtare, të cilët mbulojnë minibashkitë sipas një grafiku të përcaktuar më parë. Edhe deputetët e anëtarët e Kryesisë të caktuar në kryeqytet do të jenë pjesë e këtij aksioni politik që premton një shtim të ndjeshëm të anëtarësisë së PS. Në asamblenë e fundit kombëtare u vendos shtimi i radhëve të PS-së me 30%, me të cilën kjo parti kërkon të nisë fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2013-s.
ARISTIR LUMEZI