Rama nuk është në pozita për t’i dhënë shanse Metës – më 8 maj humbi me 140 mijë vota

Fjalimi i Ramës në Asamble, reagon deputeti i LSI, Vangjel Tavo
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje pas deklaratave të Edi Ramës para anëtarëve të Asamblesë kombëtare të PS, ku ai u shpreh se “LSI është pjesë e pushtetit dhe si e tillë nuk do ketë asnjë shans për bashkëpunim me PS, madje ajo do mundet bashkë me pushtetin në pranverë të 2013-ës”. Reagimi erdhi nga nënkryetari i Kuvendit dhe njëherazi deputeti i LSI, Vangjel Tavo i cili u shpreh se përsiatjet e kryetarit të PS, Rama, janë në inkoherencë, pasi realitetin e tregojnë votat zgjedhore, të cilat flasin në disfavor të Ramës. “Rama në librin e tij i bën me dije Metës se i jep një tjetër shans. Ndërkohë që në deklaratën e bërë publike sot (dje) në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama kërkoi të bindë socialistët se ata nuk kanë nevojë për bashkëpunimin me LSI-në për të ardhur në pushtet. Sidoqoftë rezultatet e zgjedhjeve flasin me shumë se deklaratat e secilës palë”- u shpreh Tavo. Referuar bashkëpunimit me demokratët, nënkryetari i Kuvendit paraqet një marrëdhënie që vijon të respektojë përpiktazi marrëveshjen që të dy palët firmosën në 2009-ën, dhe sipas tij vulë e këtij bashkëpunimi të ndershëm janë frytet pozitive që ai ka sjellë për shqiptarët. Por para se të shkohet në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës dhe të diskutohet për aleanca zgjedhore e pas zgjedhore, Tavo vlerëson si një çështje më prioritare mirëfunksionimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Forcat politike, siç thekson ai, duhet të dalin para elektoratit së pari me angazhimin për të respektuar votën e tij njësoj në secilin qark.