“Të fillojë sa më shpejt puna për Komisionin e reformës”
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Kume dhe Gjata kërkojnë angazhimin e partive
Me afrimin e fundit të sesionit parlamentar dhe kohës kur presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale, ekspertet bëjnë apel për të nisur ndryshimin e kodit.
Dy ish drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume dhe çlirim Gjata deklarojnë se po i afrohemi limiteve për të ndërhyrë në ligjin e zgjedhjeve, në mënyrë që në vendoret e 2011-s të mos përsëriten skenarët që kanë karakterizuar proceset elektorale ne Shqipëri gjatë 20 viteve. “është e domosdoshme që klasa politike të mos merret vetëm me çështjen e madhe të sotme që akoma nuk po e zgjidh dot. Fillimi i punës pas pushimeve duhet të përkojë në të njëjtën kohë me fillimin e punës për reformën zgjedhore në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Në të kundërtën, situatat do të përsëriten”, tha Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ.
“Gjithmonë ka qenë problematike arritja e kompromiseve politike dhe dalja e kodeve zgjedhore apo ndryshimeve të kodeve zgjedhore në momentin e fundit. Kulmi ishte në 2007-ën, 3 javë e gjysmë ne patëm mundësi që të përgatisnim zgjedhjet në atë kohë. Prandaj, në qoftë se do të bëhet, të bëhet sa më shpejt. Por nuk është diçka determinante, ligji është, zgjedhjet mund të bëhen shumë të mira dhe me këtë ligj që është, po që ka nevojë për ndryshime ka”, u shpreh çlirim Gjata, ish kryetar i KQZ-së.
Por një debat tjetër që pritet të mbisundojë politikën pas pak kohësh, është përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kushtet kur partia e Skënder Gjinushit, vazhdon të ketë anëtarin e saj në KQZ, ndërsa asnjë deputete në Parlament, gjë që mund të ringjallë pretendimet e PBDNJ dhe LSI.
“KQZ në një farë mënyrë është pasqyrim, përfaqësim të strukturës politike aktuale, gjë që do të kërkojë patjetër që ky komision të jetë objekt i diskutimit të forcave politike”, thotë Kume.
Një variant tjetër sipas ish kreut të KQZ-së, është dhe shkrirja e këtij institucioni dhe mandatimi i një personi të vetëm jopolitik për të menaxhuar zgjedhjet, komisionerit të lartë të zgjedhjeve.