E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shkon në Kombinat

Tiranë -Kreu socialist Edi Rama është ndalur në Kombinat, në takimet e radhës për fushatën elektorale. “Edhe 25 ditë për t’i dhënë më në fund Tiranës të gjithë fuqinë, që i duhet për t’u zhvilluar me shpejtësinë e ëndrrave dhe me thellësinë e shpresave të qytetarëve e qytetareve të saj. Edhe 25 ditë për ta çliruar ujin nga duart e paafta të qeverisë dhe për ta çuar 24 orë pa ndërprerje në çdo shtëpi të Kombinatit, Laprakës, Ali Demit, Alliasit, Kodër Kamzës dhe kudo ku jetojnë familjet e këtij Qarku”-tha Rama, megjithëse i ka tranferuar ujësjellëset tek pushteti vendor.

Rama ka premtuar se do të ngrihet Komiteti Shtetëror i Zhvillimit të Rrethinave, nën varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të vendit. Kjo sipas Ramës, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë të ardhurve që jetojnë në mjerimin e zonave informale. Më tej, Rama është ndalur tek zhvillimi i rrethinave të qyteteve kryesore, duke premtuar përmbylljen e plotë të procesit të legalizimeve, një proces i nisur nga qeveria aktuale.

“Unë jam sot këtu sepse është misioni ynë i përbashkët ta çlirojmë Tiranën nga duart e paafta e të papërgjegjshme të kësaj qeverie, që frenon vrapin e saj drejt Evropës. Ta çlirojmë Tiranën nga gjuha e baltës dhe e mllefit të kësaj qeverie, që derdhet çdo ditë mbi modelin tonë”-tha më tej kryesocialisti Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›