E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama si Haxhi Lleshi: “Më vodhën demokratët!”

Haxhi Lleshi ka qenë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në kohën e monizmit dhe mbahej si një ndër njerëzit më besnik të Enver Hoxhës. Këtë besnikëri e tregoi edhe në qëndrimin e tij ekstremist ndaj proceseve demokratike, natyrisht, duke i kundërshtuar me mundësitë dhe fuqitë fizike që i lejonte mosha e thyer në ato vite. Kuptohet, ai s’mund të ndiqte këmba-këmbës “çetat” e Vullnetarëve të Enverit, siç bënte në rini me çetat partizane apo t’u bashkohej skënderbegasve të Shkollës së Bashkuar në demostrimin me armë të urrejtes për demokracinë shqiptare. Por mosha e thyer nuk e pengonte aspak që t’i nëmte, pargjykonte apo përçmonte këto procese dhe përfaqësuesit e tyre politik, me formimin enverist dhe cinizmin marksist, me të cilat ishte edukuar qysh në rininë e hershme. Ky edukim ishte i tillë që kundërshtarët e regjimit komunistë, siç ishin në rastin konkret demokratët shqiptarë, konsideroheshin jo vetëm armiqë, por dhe ishin njerzit më të përçmuar në kuptimin e paraqitjes fizike dhe cilësive njerëzore. Kjo ishte arsyeja, për shembull, që ballistët identifikoheshin me disa njerëz lapanjoz e frikacakë që nuk bënin gjë tjetër, veçse vidhnin dhe hanin pula, ndërkohë që Haxhi Lleshi më “dyqind petrita lule” luftonin në male “për atdhe e për vatan”. Në këto kushte, përfytyrimi i Haxhiut për demokratët nuk mund të kishte standard tjetër vlerësimi, përveçse atij opinionit negativ e fyes që kishte krijuar e lënë trashëgim Enver Hoxha për ballistët dhe përfaqësuesit e tjerë të “klasave të përmbysura”. Po për Haxhiun kishte dhe një shkak tjetër që t’i shkonte mendja, pothuajse për ditë, tek ballistët dhe përfaqësuesit e tjerë të këtyre shtresave, pasi në shtëpinë e tij njëkatëshe përballë Librit Universitar, në vendin ku tani Rama ka lejuar ndërtimin e një pallati gjigand, mbante pula, dhe sa herë i shikonte ato, mendja i shkonte tek “kolaboracionistët e lidhur me fashizmin”. Një ditë, teksa ishte duke vuajtuar nga aluçinacionet që i kishte krijuar Lëvizja për Demokraci, i fiksohet se i kishin humbur pulat dhe nis t’i numëroj disa herë ato. Por gjithnjë i dilnin mangut. Atëherë, me duratë që i dridheshin nga pleqëria, mori armën dhe doli në oborr, duke shtirë në ajër e turfulluar nga inati, ngaqë mendote se, “demokratët i kishin vjedhur pulat(!?)”. Pra sipas tij, demokratët nuk ishin gjë tjetër veçse disa njerëz pa virtyte e moral që, ashtu si ballistët e kohës së luftës, nuk dinin të bënin gjë tjetër, veçse “të vidhnin dhe hanin pula”, ndaj duheshin ndaluar me çdo mjet në udhën drejt pushtetit.

Kjo histori e ditave të para të pluralizimit shqiptar më kujtohet pothuajse çdo ditë, pas zgjedhjeve të 28 qershorit ’09, teksa shoh Edi Ramën që delë në televizor, si Haxhiu në oborr dhe bërtet si i çmendur se, “e kanë vjedhur demokratët”(!?) Natyrisht nuk i kanë vjedhur pulat por votat dhe vulat. Por krahasimi i Ramës me të ndjerin Haxhi Lleshi, përveç arrogancës komuniste që kanë të përbashkët, argumentohet edhe me fakte të tjera. Që të dy janë “patriotë” gjografik dhe preferojnë nacionalizimin bolshevik. Megjithatë, Rama këtë edukim, më shumë sesa nga Kristaqi e ka marrë nga Babë Myslymi, i cili mund të konsiderohet si “Haxhiu i…” Pezës. Natyrisht Rama nuk është kaq dallkauk sa këto dy figura të njohura të pushtetit komunist, por nuk ka asnjë ndryshim përsa i përket strategjisë së “bashkimit të popullit në një front të vetëm…” antidemokratik, nën udhëheqjen e PS-së. Ndaj programi elektoral i Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit ’09 nuk kishte asgjë më shumë se sa programi pezak i “bashkimit të popullit në luftë kundër armikut”. Dhe në rastin konkret, “armiku” identifikohet me demokratët apo “ballistët” e kohës së sotme. Duke qënë se baza e elektoratit të majtë të Partisë Socialiste janë veteranët dhe familjarët e veteranëve të Luftës të lidhur si “mishi me kockën me partinë”, Edvini mendoi se ata ishin të mjaftueshëm numerikisht për të krijuar mazhorancë qeverisëse, ndaj u mjaftua vetëm me këngë elektorale dhe “besa-besë” të blerë me pare. Kësisoj programi i tij ishte, “…pa bukë e pa ujë hiç/ lule djemtë e nënave…”. Ai të kujtonte përmbajtjen e trakteve partizane në kohën e luftës, ku pak a shumë, me thirrje patetike i kërkohej kujtdo, “që e ndjente veten shqiptar, të bashkohej me thirrjen e Partisë Komuniste për një Shqipëri të re” apo “politike të re”, siç thotë Rama. Në të gjitha analizat postzgjedhore që janë bërë nga politikanë dhe gazetarë të njohur, është konstatur se Partia Socialiste, përveçse pa “komandant” doli në fushën e betejës elektorale edhe “e paarmatosur” me një program konkret qeverisës, ndërkohë që përballë kishin një kundërshtar të “armatosur gjer në dhëmbë” me arritje e premtime të shumëta qeverisëse dhe të udhëhequar nga një komandant i sprovuar në beteja të panumërta elektorale. Por kriteri me të cilin Rama e vlerësonte kundërshtarin ishte ai i Haxhi Lleshit apo Myslym Pezës për “kolaboracionistët” e kohës së luftës, ku një pjesë prej tyre konsideroheshin “frikacakë e të rënë moralisht”, kurse të tjerët që “vidhnin dhe hanin pula”. Madje për këtë arsye ai u kthye shumë prapa në historinë e zhvillimeve tona demokratike, pikërisht në 20 shkurt të vitit ’91 për të “rrëzuar” rrëzimin e bustit të Enverit. Dhe i dukej se mbështetësit e tij ishin po aq sa ç’ishin në atë kohë mbështetësit e Partisë së Punës me në krye Ramiz Alinë. Po kur i numëroi në 29 qershor e në vazhdim i dolën mangut si pulat e Haxhiut, ndaj delë përditë në “oborrin” e PS-së dhe bërtet si i çmenduar se, “votat ia kanë vjedhur demokratët”, me të vetmin ndryshim se akoma nuk e ka nxjerrë koburen për të shtënë në ajër…

Duket si komedi e sajuar gjithë kjo histori, por është mëse e vërtetë. Rama duket i ri në moshë e mantalitet, po që kur u bë kryetar i PS-së e ka përqafuar traditën komuniste të  Partisë Socialiste si një Haxhi apo Myslym i vërtetë i ditëve tona, duke shkuar kështu shumë më larg se paraardhësit e tij të fundit në këtë parti, ku përfshihet edhe Ramiz Alia. Para 4-5 vitesh, enveristët e PS-së e detyruan dhe Nanon të thoshte me gjysëm zëri në fushatën zgjedhore të ’05-ës se “votimi për Partinë Demokratike është tradhëti kombëtare”, por kur doli rezultati i KQZ-së ai pranoi humbjen si politikan serioz dhe dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialiste. Ndërsa Rama megjithëse e ka humbur davanë “si gomari në duhan”, vazhdon ta injorojë e akuzoj fituesin se, “i ka vjedhur votat”, në vend që t’i shtërngojë dorën siç e ka tradita. Nga ana tjetër, ky pretendim është qesharak, sepse votat nuk mund të vidhen pasi janë numëruar dhe pasi proces-verbalet janë nënshkruar nga të gjithë komisionerët socialist. Vetë Rama ka pohuar në mbyllje të procesit zgjedhor se, “ky proces ka qënë brenda standarteve të kërkuara”, gjë që do të thotë se s’ka patur vjedhje. Në këto kushte “vjedhja e votave” është jo vetëm një alibi për të justifikuar humbjen, por edhe një mitomani komuniste për të njollosur e përçmuar kundërshtarin si njeri me vese, me qëllim që më tej të shkohet tek filozofia e shprehjes popullore se, “ai që vjedh i bën të gjitha të këqiat”. Pra sipas tyre pushteti i demokratëve është pushtet i të këqiave në Shqipëri. Mbi bazën e këtij paragjykimi komunist u krijua opinioni se, pushteti demokrat i “votave të vjedhura” të ’96-ës u bë “pushteti i dhunës” në ’97-ën. Por e vërteta është krejt ndryshe, pasi të gjitha ngjarjet e këtyre dy viteve nuk kanë si shkak pushtetin e “votave të vjedhura” por opozitën e “hakmarrjes për drejtësi” për “pulat e vjedhura”. Faktikisht forcat politike të së djathtës, si përfaqësuese të progresit, asnjëherë nuk kanë marrë pushtet me “grykën e pushkës” apo “grykën e thesit” të votave, siç kanë bërë të majtët nga ’97-a deri në 3 korrik ’05. Ndërsa në zgjedhjet e 28 qershorit Rama përdori një formë tjetër manipulimi të zgjedhësve, duke përdorur lekët e vjedhura për të blerë “vota të ndershme”. Sidoqoftë ai i quan normale këto veprime, thjeshtë ngaqë ato i përkasin veprimtarisë kompromentuese të ish-Sigurimit të Shtetit, si armë mbrojtëse e partisë. Ai është mësuar jo vetëm që “qimen” ta shohi si “tra” në syrin e tjetrit, por edhe t’ia “lërë dobiçin në derë” atij. Ky është një mësim i vyer enverist që vjen që nga koha e luftës dhe është shndërruar tashmë në një normë paragjykimi të vazhdueshëm për kundërshtarin politik. Megjithatë Rama, më shumë se sa duhet të edukohet, ka nevojë të kurohet për simptomat aluçinacionante të “vjedhjes së votive” si “vjedhja e pulave” të Haxhiut. Por kjo terapi nuk mund të ketë sukses, pa u xhveshur “nudo” Rama nga posti i kreut të PS-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›