Rama s’mbyll dot grevën, se humbet partinë

Shfryhet tollumbacja e pritshmërisë së socialistëve se nga bulevardi do të vinte marrja e pushtetit. Donatorët, militantët dhe rekrutët e rinj kanë kuptuar se Edi Rama e ka nisur grevën, por s’po di ta mbyllë, sepse kështu edhe do të humbasë kontrollin mbi vetë partinë. Pas kësaj humbjeje, vjen humbja e bashkisë dhe pensioni politik, por për ta zgjatur sa më shumë agoninë, ai detyrohet të mbajë hapur kampingun në bulevard
Vendimi për nisjen e grevës së urisë duket se ka qenë më i lehtë për Edi Ramën sesa vendimi për mbylljen e saj. 18 ditë të shkuara në havan e me energji të harxhuara e kanë futur kryetarin e PS, në një rrugë pa krye, që duket se po e çon jo vetëm në humbjen e profilit autoritar, por edhe në humbjen e staturës së njeriut modern, që do t’i prijë karrocës së vjetër socialiste. Ish-presidenti Rexhep Meidani deklaroi dje publikisht se ishte e trishtueshme që Edi Rama s’kishte menduar një strategji se si ta mbyllte aksionin e tij pa u dëmtuar politikisht. Por nëse shprehja e Meidanit se zgjatja e grevës është një vendim jo i mençur mund të interpretohet si individual, kjo s’e pengoi Edi Ramën që bash dje të zyrtarizojë politikën e zgjerimit të kamikazëve e të kavieve në çadrat e Bulevardit, sepse nuk guxon të zyrtarizojë dështimin e një aksioni politik si greva e urisë, e cilësuar që në krye të herës, si një dështim politik. Ky dështim do të sillte humbjen e kontrollit të partisë e së afërmi edhe humbjen e bashkisë së Tiranës, pra pensionin e tij politik. Prandaj, deri në verifikimin e kësaj situate, Ramës s’i mbetet gjë tjetër veçse të mbajë kampingun hapur, pasi ashtu mund të mbetet kryetar partie.
Kronika/Grupi kuvendor socialist vendosi dje pas një mbledhjeje se nuk do të tërhiqet nga greva e urisë e nisur prej 18 ditësh. “Në mënyrë unanime deputetët e pranishëm në mbledhje kanë vendosur vazhdimin e grevës dhe protestave”, thuhet në njoftimin zyrtar të PS, edhe pse merret vesh se shumë nga disidentët e heshtur të grupit parlamentar nuk janë njoftuar fare për mbledhje dhe s’kanë pasur se si t’i shqiptojnë kontestimet e tyre. Por ndërkohë që krerë të Partisë Socialiste vijojnë të deklarojnë se do të rezistojnë deri në zgjedhjen e kërkesave të tyre, realisht rezistenca e grevistëve që po vijojnë grevën e urisë prej 18 ditësh, tashmë duket se po vjen duke rënë. Ditën e djeshme janë larguar edhe 3 të ngujuar të tjerë, mes të cilëve dhe deputetja Olta Xhaçka dhe Shegushe Ligori, duke e çuar numrin e të larguarve nga çadrat për arsyet e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore në rreth 60. Edhe gjatë fjalimit të tij në protestën e pasdites, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi vendosmërinë e opozitës për të mos e ndalur, sipas tij, aksionin politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara. Nën gënjështrat se beteja e nisur nuk është një luftë për pushtet, por një përpjekje e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre, Rama ripërsërititi disa herë gatishmërinë për vazhdimin e grevës, së urisë, duke pasur parasysh zëvendësimin e të ngujuarve të çadrës.
Gazeta “55” ishte e para që njoftoi sakrilegjin e ri që po përgatiste Edi Rama me deputetët e vet kavie dhe vuri alarmin për dëshpërimin që e ka kapluar lidershipin socialist, në përpjekje për të kthyer në tragjedi, një aksion politik krejt butaforesk.