E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takim me deputetët për zgjedhjet e pjesshme

24/09/2009  Gara për kreun e ri të PS-së, përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore

Grupi kuvendor socialist në mbledhjen e radhës vendos për Kuvendin

Zgjedhjet e pjesshme lokale dhe qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj tyre është një tjetër vendim që pritet të ndërmerret nga strukturat e larta drejtuese të kësaj partie. Në axhendën e punës të kësaj partie veç zgjedhjes së kreut të ri të PS-së është e përfshirë dhe një çështje e tillë. Por ende nuk ka një vendim zyrtar nga kupola rozë nëse këto zgjedhje do të bojkotohen, ashtu sikundër kjo parti ka vendosur të bëjë me kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kjo për sa kohë data në të cilën do të zhvillohen këto zgjedhje ende nuk është dekretuar nga kreu i shtetit. Në këtë mënyrë, pritet që kampi rozë të përballet edhe me një tjetër proces zgjedhor: atë të zgjedhjeve të parakohshme në 5 njësi të qeverisjes vendore, drejtuesit e të cilave dhanë dorëheqjen për shkak të kandidimit për deputet në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Madje, burime pranë kësaj partie bënë me dije se pikërisht për këtë çështje kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me deputetët e rajoneve ku do të mbahen zgjedhjet. Ndërkohë, po sipas këtyre burimeve, në takimet e veçanta me deputetët socialistë Rama trajtoi edhe çështjen e zgjedhjeve brenda partisë. Pa harruar këtu dhe diskutimin për qëndrimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste ndaj institucionit të Kuvendit. Për këtë çështje pritet që mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partia Socialiste të rikonfirmojë qëndrimin e saj lidhur me bojkotin ose jo të Kuvendit pas zgjedhjes së kryetarit të ri që do të drejtojë partinë më të madhe në opozitë për katër vjetët e ardhshëm. Ndërkohë në fund të kësaj jave 82177 anëtarë, me parimin “një anëtar, një votë” do të zgjedhin mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit se cili do të jetë kryetari i tyre i ri. Madje, gjatë ditës së djeshme të gjithë përfaqësuesit socialistë në rrethe, të angazhuar me organizimin e procesit zgjedhor brenda e partisë më të madhe opozitare, e cila pritet të zgjedhë kreun e saj të ri të shtunën, tërhoqën materialet zgjedhore. Janë mbi 300 qendra votimi, që sipas rregullores do të ngrihen pranë çdo njësie të qeverisjes vendore në vend, ku tashmë kanë nisur përgatitjet për ditën e votimit. Pritet që jo pak orë pas përfundimit të votimeve, proces që do të mbyllet në orën 16:00 të së shtunës, të dalin rezultatet paraprake mbi fituesin e kësaj gare. Ndërkohë dy konkurrentët zhvilluan dje në Dibër takimin e fundit në kuadër të kësaj fushate.

Kushtet e PS-së

Gjiknuri: Përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën

“Alibia se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ka vendim gjykate, është një përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti. Partia Socialiste përfiton nga rasti ti kthehet edhe një herë kushtit themelor të marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin: atë të hapjes së kutive problematike zgjedhore.” Kjo ishte deklarata e radhës e ardhur nga selia rozë lidhur me kushtet e publikuara prej kohësh nga kjo parti, realizimi i të cilave kushtëzon dhe pjesëmarrjen e socialistëve në Kuvend. Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri, ndalur në një çështje të tillë, u shpreh dje se pretendimi se ka vendim gjykate për kutitë e votimit është thjeshtë alibi. “Kundrejt kësaj kërkesë krejt legjitime Berisha dhe mediet pranë tij kanë stisur justifikimin se ato nuk mund të hapen se ka një vendim gjyqësor. Nisur nga kjo përpjekje tinëzare të mazhorancës, na lind detyrimi të sqarojmë opinion publik se kërkesa jonë është e drejtë dhe aspak në kundërshtim me ligjin.” Sipas tij, Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërim apo rishikim të vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. “Një mazhorancë legjitime dhe e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve do të kishte interes e para në pastrimin e ndërgjegjes së saj, duke i krijuar mundësi opozitës të hedhë dritë mbi gjithçka që ka në interes publik në lidhje me zgjedhjet, vlerësoi Gjiknuri.

Deklarata e kreut të PBDNJ-së

Dule: Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ritheksoi dhe një herë tjetër dje qëndrimin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas kryetarit të kësaj partie Vangjel Dule, një opsion i tillë do ti rikthente vendit stabilitetin dhe do ta shkëpuste atë nga ngërçi aktual politik. “Dy palët duhet të bëjnë nga një hap prapa në pretendimet e veta dhe të hedhin hapin drejt së ardhmes, drejt integrimit. Nuk mund të ishte zgjidhje e keqe që bashkë me zgjedhjet lokale të zhvillohen edhe ato parlamentare”, - u shpreh Dule. Njëkohësisht, duke theksuar se zgjedhjet kontestohen nga të paktën 50 % e votuesve, Dule vlerësoi se një qeveri me bazë të gjerë, gjithëpërfshirëse deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte zgjidhja më e mirë. Sipas kreut të PBDNJ-së, këto zgjidhje për herë të parë duhet të jepen nga klasa politike shqiptare dhe jo të shkohet deri në atë pikë sa të imponohen sërish nga ndërkombëtaret. Gjithashtu Dule akuzoi Partinë Demokratike se gjatë fushatës elektorale ka ushtruar presion të vazhdueshëm kundrejt drejtuesve të kësaj force politike ose të OMONIA-s, duke ofruar poste të larta në administratë në këmbim të mbështetjes.

Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS takim në Durrës

Shpaloset platforma kundër linjës zyrtare

Baza socialiste njihet me qëndrimet e kundërshtarëve të Ramës

Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste do të zhvillojë sot takimin e radhës me anëtarësinë e qytetit bregdetar të Durrësit. Një tur ky i nisur pothuajse paralelisht me takimet e kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama, për garën e zgjedhjes së kreut të ri të kësaj partie, synon pikërisht sensibilizimin e bazës socialiste për vendimmarrjen e gabuar të lidershipit socialist sa i takon marrëdhënies së kushtëzuar mes saj dhe Kuvendit. Takimin e parë zyrtar kjo lëvizje e zhvilloi para paka kohe në Tiranë, ku përmes sloganit “jo bojkotit” dhe “për një Parti Socialiste të bashkuar dhe fituese” startoi dhe turi i takimeve me bazën e kësaj partie. Tashmë ky grup përfaqësuesish socialistë është shfaqur qartë kundër veprimeve dhe vendimeve të bëra publike nga lidershipi i PS-së. Formësimi i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, proces ky i nisur fill pas humbjes së PS-së në garën elektorale të 28 qershorit, do të vijojë tu paraqitet zyrtarisht anëtarëve dhe mbështetësve të kësaj partie gjatë takimeve në rrethe të ndryshme të vendit. Takimi që pritet të zhvillohet sot në Durrës ka si qëllim të sqarojnë arsyet për të cilat u bë i detyrueshëm krijimi i një rryme të tillë në PS. Kështu, duke qenë përballë vendimit të shumicës në PS për të bojkotuar institucionin e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, kundërshtarët e qëndrimit zyrtar të PS-së do të insistojnë që në takimet e tyre të japin arsyet pse nuk është kjo rruga që duhet të ndjekë partia më e madhe opozitare. Gjithashtu gjatë konsultimeve me bazën socialiste Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS do tu kushtojë një rëndësi të veçantë edhe ndryshimeve statutore. Ndalur në këtë të fundit, kundërshtarët e kryetarit Rama përmes ndryshimeve në statut kërkojnë të forcohet roli i Kongresit në PS, duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e programit elektoral dhe kandidateve të PS-së në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.

Deklarata

Anëtarësia e Partisë Socialiste do të votojë sipas parimit “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit të ri këtë të shtunë. Por deputeti Ben Blushi bëri me dije se nuk do të jetë një ndër votuesit. “Në këto zgjedhje unë nuk marr pjesë si votues. Nuk kam asnjë alternativë që më bind, për fat të keq. Për më tepër, askush nuk më kërkon dot të votoj për një humbës. U them gjithë socialistëve sot se nuk kanë arsye të votojnë për një njeri që ka humbur zgjedhjet. Ata socialistë që shkojnë më 26 shtator për të zgjedhur Edi Ramën kryetar të PS-së duhet ta dinë se po votojnë për një njeri që ka humbur zgjedhjet”,- tha Blushi.

Mazhoranca shprehet në lidhje me kërkesat e opozitës

Patozi: Do ti shqyrtojmë të gjitha, nëse sbien ndesh me ligjin

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, shprehu dje gatishmërinë për të shqyrtuar pretendimet dhe kërkesat e opozitës lidhur me procesin zgjedhor, me kusht që kërkesat e tyre të jenë ligjore. Në një prononcim për mediet pranë Kryesisë së Kuvendit Patozi ftoi Partinë Socialiste të jetë e pranishme sot në seancën parlamentare, ku do të shqyrtohet projektligji për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2009, duke "garantuar dhe siguruar PS-në se ftesa jonë për rikthimin e tyre në Parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. Ne duam opozitën në Parlament për të pasur një debat politik në institucionin më të lartë të shtetit, për të vijuar reformat e ndërmarra, për të cilat ka nevojë jetike vendi, por mbi të gjitha ne duam opozitën dhe PS-në në Parlament për të shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitet të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e raportit të OSBE-ODIHR-it”, - tha Patozi. Më tej kreu i grupit parlamentar të mazhorancës ka shprehur në emër të forcës që ai përfaqëson gatishmërinë për të shqyrtuar të gjitha kërkesat e opozitës, në rast se ato janë konform ligjit. “Ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë dhe trajtojmë të gjitha kërkesat dhe pretendimet e opozitës, por vetëm me një kusht: që këto të jenë në përputhje dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, - tha Patozi. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i përbërë nga 65 deputetë, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare që prej 7 shtatorit, kur nisi punimet Kuvendi i ri. Ata e kushtëzojnë praninë e tyre në Parlament me transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Debatet

Partia Socialiste ka marrë vendim që të bojkotojë Kuvendin, pasi sipas saj zgjedhjet janë manipuluar dhe ka kërkuar rinumërimin e kutive të votimit në disa qarqe. Për këtë ajo hedh idenë e një komisioni parlamentar, ndërkohë që deputetët e PS-së nuk kanë zhvilluar ende asnjë seancë në Kuvendin e Shqipërisë, duke injoruar në njëfarë mënyre dhe thirrjet e ndërkombëtarëve, që i kërkojnë asaj të hyjë në Kuvend dhe ti adresojë atje kërkesat e saj. Kjo çështje ka hapur debat dhe brenda PS-së, ku një pjesë e konsiderueshme e figurave të saj kanë kërkuar të hyjnë në Kuvend dhe ta zhvillojnë atje debatin. Nga ana e tij Kryeministri Berisha është shprehur se zgjedhjet janë certifikuar dhe nga komisionet e opozitës në KQZ dhe për këtë çështje ka dhënë një vendim edhe Gjykata, e cila është hallka e fundit e sistemit për gjykimin e zgjedhjeve. Nga ana e tyre dhe ndërkombëtarët i kanë cilësuar zgjedhjet si më të mirat të zhvilluara në këto vite.

Kryeministri merr pjesë në hapjen e samitit të OKB-së

Berisha takon Ban Ki Munin dhe personalitete të tjera

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë në hapjen e samitit mbi ndryshimin e klimës, që zhvillon punimet në SHBA. Gjatë seancës së samitit platenë e përshëndeti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se pas ceremonisë në kuadër të samitit të ndryshimit të klimës, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht mbi këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën. Ndërkohë më herët Kryeministri Berisha u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Kryeministri Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, me Presidentin e Kinës Hujintao, si dhe me disa homologë të tij: kryeministrin e Japonisë Hotajama, kryeministrin e Kuvajtit, kryeministrin e Australisë, kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu Kryeministri u takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete te tjera, të pranishëm në samit. Gjatë bisedës me ta u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik, ashtu dhe në atë ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›