E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet 0.5 % kontributi shoqëror i punëdhënësve

06/02/2009  Kuvendi voton ligjin, opozita abstenon

Kuvendi ka miratuar me votat e mazhorancës projektin e qeverisë që synon uljen e masës së kontributit të punëdhënësit për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore. Duke nisur nga data 1 maj e këtij viti, masa e kontributit të sigurimit shoqëror në përgjithësi do të ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 % në 24.5 %. Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se ulja e masës së kontributit synon shmangien e veprimtarisë joformale ndërmjet deklarimit real të pagave dhe shpërblimeve si dhe përafrimin e saj me masat e kontributit. “Mund t’ju them se në muajin janar të këtij viti të ardhurat janë realizuar dhe janë 17% më të larta në krahasim me janarin e vitit 2008. Trendi është tepër pozitiv, ndërkohë që ne kemi programuar që rritja e të ardhurave nga kontributi i sigurimeve shoqërore për vitin 2009 do të arrijë në masën 8%. Kemi krijuar një tepricë deri në dyfishin dhe e kemi realizuar. Nuk do të ketë rrezik fiskal që vjen nga ulja e taksës”, - tha Bode. Por opozita e kundërshtoi këtë projekt duke e abstenuar atë. Sipas saj, reforma në fushën e sigurimeve duhet të jetë më integrale dhe akuzoi qeverinë se po ndërmerr reforma të tilla për efekte elektorale. “Ka më shumë propagandë sesa përmbajte reformash në sistemin e kontributeve shoqërore”, - tha deputetja e PS-së Ermelinda Meksi. Reduktimi i përgjithshëm i normës së kontributit ulet me 0.5% për paaftësinë e përkohshme, nga 0.8% që ka qenë do të bëhet 0.3%; reduktimi me 0.9% i normës së kontributit për barrëlindjen nga 2.3% që ka qenë në 1.4%; reduktimi me 2.3% e kontributit për pensionet nga 23.9% në 21.6%; me 0.2% i masës së kontributit për aksidentet nga 0.5% në 0.3%; dhe me 1.1 të masës së kontributit për papunësinë nga 2.0% në 0.9%.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›