Rama takon deputetët e Tiranës: Bindeni bazën të na mbështesë në protesta

Tiranë, 1 shtator, NOA Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thirrur sot në një mbledhje deputetët e qarkut të Tiranës për tu kërkuar atyre që të shtojnë takimet dhe kontaktet me bazën socialiste.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime konfidenciale pranë selisë rozë, sipas të cilave, në mbledhjen informale të organizuar prej tij, mësohet se kryesocialisti i ka urdhëruar të zgjedhurit e qarkut më të madh në vend që të jenë sa më pranë elektoratit të tyre.
Kjo gjë nevojitet sipas Ramës, në mënyrë që cilido qoftë aksioni politik i radhës i selisë rozë, përfshirë dhe protestat, të kenë mbështetjen e bazës socialiste.
Ndërkaq, mësohet se Rama brenda javës do të thërrasë në mbledhje, deputetët e të 12 qarqeve, ndërsa javën e ardhshme e cila përkon dhe me fillimin e sesionit te ri parlamentar, socialistët do të mbledhin Asamblenë Kombëtare për të rinovuar përbërjen e kryesisë së partisë.
Përmes të tjerash, në korridoret e partisë më të madhe në opozitë, flitet se 4 nga deputetët e njohur si Lëvizja për Mendimin Ndryshe nuk do të mund të rizgjidhen në strukturat drejtuese të partisë.
n.e/NOA