E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Do e kundërshtojmë projekt-rezolutën serbe

Prishtinë, 1 Shtator, NOA Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christofer Dell, i ka siguruar krerët e shtetit të Kosovës se vendi i tij do ta kundërshtojë projekt-rezolutën serbe për Kosovën.

Kështu, gjatë një takimi me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, Dell ka garantuar ndihmën amerikane në këtë aspekt.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se të njëjtin mendim kanë shprehur edhe ambasadorët e SHBA-ve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Ivo Daalder (NATO) dhe Ëilliam Kennard (BE), në të cilin ishin të pranishëm në këtë takim.

Ata theksuan qëndrimin e prerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kundërshtojnë fuqishëm rezolutën e Serbisë, nëse ajo vihet në rend të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Njëkohësisht, ata vlerësuan qasjen e matur të institucioneve të Republikës së Kosovë dhe gatishmërinë e vendit tonë për harmonizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë. Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje të para, si dhe me vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila, fatkeqësisht, po e vazhdon politikën e saj destruktive ndaj vendit tonë, pohoi Sejdiu.

Më tej, presidenti tha se mendimi shumë i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka hequr çfarëdo dilemash që mund të kenë pasur vendet e ndryshme sa i përket legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi u përqendrua në angazhimin e qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se ajo i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe investimit në komunat në të cilat pjesëtarët e komuniteteve pakicë përbëjnë shumicën e qytetarëve.

Ai theksoi se Kosova ka arritur rezultate shumë të ndjeshme në forcimin dhe konsolidimin e shtetit dhe po punon me përkushtim që Raporti i Progresit i këtij viti të jetë më i suksesshëm, sidomos në fushë të sundimit të rendit dhe të ligjit, të luftës kundër korrupsionit etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›