E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama të përgjigjet ku i ka çuar fondet e qeverisë për shkollat”

Autori i Lajmit: red.
Berisha kërkoi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, që "t u thotë qytetarëve se ku janë shkollat me kredinë prej 2 miliardë lekësh të dhëna nga qeveria". “Tirana ka nevojë jo për deklarata në letër, jo për statistika të paqena, por për shkolla dhe qeveria i ka dhënë Tiranës 2 miliardë lekë për 18 shkolla”, - deklaroi Kryeministri, pas përurimit të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare në qytezën e Vorës, rreth 18 kilometra larg Tiranës. “Në Tiranë nuk është ndërtuar asnjë shkollë e mesme”,- tha ai, duke iu referuar këtu shkollës së mesme Misto Mame , ku siç nënvizoi Kryeministri, “priten shirita çdo tre vjet”. Ai shtoi se “ne nuk po kërkojmë llogari për fondet e Bashkisë, se atë duhet ta bëjë Këshilli Bashkiak, por kjo është kredi e qeverisë”. Në përgjigje lidhur me ftesën që i ka bërë kryetari i Bashkisë së Tiranës për të marrë pjesë në përurimet e kësaj Bashkie, Berisha tha se “uroj që të ketë sa më shumë përurime, sepse ato janë interesi më i mirë i qytetarëve”. Sipas tij, beteja politike është betejë politike, përurimet janë ato që ndryshojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Por, nënvizoi ai, t u deklarosh banorëve se do të shtroj 62 rrugë, me 1.8 milion dollarë, duhet të kesh matematikën e tij që të bësh një deklaratë të tillë. “Unë e përgëzoj dhe uroj që të ketë sa më shumë inaugurime dhe për këtë qëllim i kemi dhënë dhe po i japim Tiranës 240 milionë dollarë”, - tha Kryeministri, i cili nuk përjashtoi mundësinë për të marrë pjesë në përurimin e sistemimit të fushës së përpunimit të mbeturinave në zonën e Sharrës, në periferi të Tiranës, projekt që po kryehet përmes një investimi prej 800 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. “Në Sharrë edhe mund të shkoj, se projekti po realizohet me fondet e qeverisë. Të vijë edhe ai në Sharrë, që është me fondet e Qeverisë, më pas shkoj unë diku me fondet e Bashkisë”, - përfundoi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›