E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tragjedia do të hetohet në çdo qelizë të saj”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha ka vizituar dje, përpara se të nisej për në Olimpiadën e Pekinit, Vorën dhe banorë nga Gërdeci dhe Marqineti. Ai përuroi përfundimin e rrugës hyrëse që lidh autostradën me këtë qytet, investim me vlerë 37 milionë lekë. Në ceremoninë e përurimit, Berisha u shpreh se “shfrytëzoj këtë rast për të siguruar qytetarët e Vorës, të Marqinetit dhe të të gjithë kësaj rrethine, se qeveria do të vazhdojë përkujdesjen e saj. Ne patëm një tragjedi të tmerrshme më 15 mars, një tragjedi, e cila duhet të hetohet në çdo qelizë të saj dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë, se hetimi është një detyrim madhor moral ndaj shpirtrave të atyre që nuk janë më, familjarëve të tyre dhe të gjithë komunitetit. Sot, zona po rindërtohet dhe ne nuk do të ndërpresim mbështetjen e fuqishme, derisa të vendoset dhe tulla e fundit, derisa të rindërtohet rruga dhe rrugica e fundit në këtë zonë. Ne qëndrojmë fuqishëm prapa jush. Në tërësi është bërë zgjidhja, kompensimi më i gjerë i mundshëm, por duke thënë këtë, jam i bindur se ka edhe zemërthyer nga gabimet që mund të jenë bërë. Jam i bindur se ka probleme, të cilat duhet të trajtohen një e nga një. Ndaj dhe i garantoj të gjithë banorët e Bashkisë Vorë se në asnjë moment nuk do të jeni jashtë fokusit të qeverisë. Qeveria do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit dhe rindërtimit të plotë të kësaj zone dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në të. Edhe një herë, përshëndes të gjithë qytetarët e Vorës. Do të vij sërish këtu për të inauguruar ujësjellësin, qendrën, rrugët e Marqinetit, të Gërdecit dhe të gjithë infrastrukturën e kësaj zone”, - përfundoi kreu i qeverisë.

Pasaportat kosovare

Qeveria përshëndet fillimin e shpërndarjes

Qeveria shqiptare përshëndet lëshimin e pasaportave nga qeveria e Republikës së Kosovës, si një hap tjetër të rëndësishëm të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në mbështetje të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës dhe forcimin e pavarësisë së tij. Pasaportat e reja, të lëshuara nga qeveria e Republikës së Kosovës, janë dokumente që rrisin shkallën e sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe një ndihmë dhe mbështetje e rëndësishme për rritjen e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit.

Berisha: “Në Kinë do të takohem me miq të mi, përfaqësues te Komitetit Qendror të Partisë Komuniste”

Kryeministri, i cili u nis dje në mesditë në Pekin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, përshëndeti dhe u uroi sportistëve shqiptarë suksese në këtë garë madhështore. “Po nisem së bashku me delegacionin olimpik shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike që organizohen këtë vit në Pekin. Vërtet ky është një aktivitet i mirëfilltë sportiv, por është gjithashtu simboli më i lashtë i paqes, mirëkuptimit midis njerëzve dhe popujve. Gjatë këtyre ceremonive do të ketë sigurisht edhe takime politike. Kam shumë kënaqësi që unë pritem në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës Popullore te Kinës, zoti Ven Jiabao, me të cilin do të diskutoj gjerësisht mbi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Do të marr pjesë në pritjen që shtron Presidenti i Kinës për të gjitha personalitetet, kryetarët e delegacioneve e pjesëmarrës të tjerë. Natyrisht, gjatë qëndrimit në Pekin do të takoj përfaqësues të botës së biznesit aktiv kinez, do të takohem me miq të mi, përfaqësues të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, përfaqësues të kompanive të mëdha kineze etj. Ky është rast i një vizite të shkëlqyer në një eveniment botëror për Kinën dhe mbarë njerëzimin. Që në nisje, dua t u uroj sportistëve shqiptarë suksese në këtë garë madhështore. Shqipëria këtë vit përfaqësohet me një delegacion të vogël prej 11 sportistësh, por ky është delegacioni më i madh në historinë e vendit që ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike."
Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›