E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama tur në Lushnjë e Fier

21/06/2011  Kreu socialist starton turin e takimeve në bazë me të zgjedhurit vendorë

Gjatë kësaj periudhe do të hidhen piketat e para të aksionit politik të PS-së

Kreu socialist Edi Rama nis nesër turin e tij të takimeve me të zgjedhurit vendorë që rezultuan fitues në garën e 8 majit. Starti do të jetë pikërisht nga qarku i Fierit, ku paraditen e së mërkurës Rama ka rezervuar një takim me përfaqësuesit socialistë të qytetit të Lushnjës. Më pas, në orën 12:00 të po kësaj dite, takimi i radhës do të jetë në qytetin e Fierit. Kështu, siç ishte paralajmëruar në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, gjatë këtyre dy javëve lidershipi socialist si dhe drejtues e deputetë të Partisë Socialiste do të zbresin në bazë për të marrë opinionet e anëtarësisë dhe të zgjedhurve të saj mbi hapat e mëtejshëm që duhet të hedhë partia më e madhe opozitare në vend në kudër të aksionit të saj politik. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se në funksion të kësaj nisme është vendosur që të jetë dita e mërkurë që të shënojë nisjen e këtij turi takimesh. Gjithashtu mësohet se takimet me të zgjedhurit vendorë do të jenë të përqendruara kryesisht në qytetet ku Partia Socialiste rezultoi fituese, duke synuar kështu në një mbështetje të mëtejshme të veprimeve të kësaj partie nga ana e mbështetësve të saj. Njëkohësisht gjatë bisedave me ta pritet që të diskutohet dhe një tjetër çështje e pikërisht mënjanimi i debatit të brendshëm, duke pasur si qëllim kryesor oponencën e ashpër ndaj kundërshtarit politik. Për këtë arsye, deri më 29 qershor, kur do të mblidhet sërish Asambleja Kombëtare, deputetët dhe përfaqësuesit e PS-së do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë për të diskutuar dhe debatuar mbi axhendën e ardhshme të kësaj force politike. Ndërkohë që deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar për zgjedhjet në Tiarën PS-ja do të vijojë të respektojë vendimin e saj për bojkot ndaj institucionit të Kuvendit. Gjithashtu pas diskutimeve intensive me bazën e partisë, por dhe mbështetësit e saj në asamblenë e ardhshme do të vendoset edhe më konkretisht për axhendën, e cila pritet të përfshijë demonstratat popullore. Megjithatë, ajo që mëshohet deri tani është pikërisht fakti se organizimi i tyre do t’i përkasë periudhës pas zgjedhjeve të reja në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.

Vendimi

Asambleja Kombëtare do të mblidhet më datën 29 qershor, ku do të diskutohet për aksionin politik, qëndrimin e PS-së ndaj Parlamentit, protestat. Gjatë kësaj periudhe deri më 29 qershor deputetët dhe të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare do të jenë të ndarë sipas zonave në kontakte me anëtarësinë dhe njerëzit, duke shpjeguar situatën, por duke marrë edhe mendime prej tyre.

Propozimi

Në mbledhje e kaluar të Asamblesë Kombëtare të PS-së u kërkua më tepër angazhim për zgjedhjet e reja në parti, me qëllim që gara për zgjedhjet parlamentare t’i gjejë strukturat e PS-së të gatshme për të përballuar një sfidë të tillë. Për këtë arsye u propozua ngritja e grupeve të punës dhe një analizë e gjerë në strukturat e partisë për të eliminuar gabimet e vitit 2209.

Turi

Të mërkurën në orën 10:00 kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do t’i drejtohet qytetit të Lushnjës për të zhvilluar takimin e parë në bazë me të zgjedhur vendorë, fitues të 8 majit. Pas këtij takimi, me të cilin starton dhe turi i tij, Rama ka rezervuar takimin e radhës në Fier, ku është vendosur që biseda me socialistët fierakë të zhvillohet rreth orës 12:00.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›