Rama vendos veton për grupin parlamentar
Asambleja / Kreu i PS-së kërkon mendimin e anëtarësisë, pasi ka vend
Bazës së partisë i ndalohet propozimi i deputetëve aktualë në listat e reja të qershorit. Kandidimi i Fatos Nanos mbetet në dorën e pasardhësit të tij, pasi Edi Rama ruan ekskluzivitetin e vendimit për karrierën politike të deputetëve
Edi Rama vendos veton nëse do të jenë deputetët aktualë në listën e re të PS-së apo jo, duke marrë kështu në dorë dhe fatin e karrierës politike të paraardhësit të tij, Fatos Nano. Vetëm ai mund të vendosë nëse ai do të jetë më përfaqësues i socialistëve në Parlamentin e ardhshëm apo jo. Edhe nëse baza socialiste dhe elektorati i zonës së Nanos apo kujtdo deputeti tjetër që janë aktualisht në Parlament mund të kërkojë rikthimin e tyre, kjo s’do të merret për bazë. Kreu i PS-së e ka bërë publik këtë vendim, duke e futur në listën e kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve që miratoi dje Asambleja Kombëtare e kësaj partie. Për çudi nuk është raportuar asnjë kundërshtim nga anëtarët e asamblesë, ku bëjnë pjesë edhe deputetët në fjalë. “Nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë, deputetët aktualë të GPS”, - thuhej në udhëzimin e djeshëm "Parimet, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për përfaqësimin e Partisë Socialiste në pushtetin legjislativ". Kjo do të thotë se baza nuk propozon dot për deputete të ardhshëm deputetët aktualë, duke ia lënë këtë në dorë vetëm kryetarit dhe kryesisë. Ndërkaq në këtë udhëzim i jepej liri anëtarësisë të sillte emra të rinj nga qarqet. Gjithsesi, mbledhja e këtij forumi dhe vendimmarrja për këtë çështje ka qenë më shumë një farsë, pasi tashmë Rama ka vendosur për shumicën e emrave që do të jenë në këtë listë, duke lënë pikëpyetje vetëm për Qarkun e Tiranës. Po dje asambleja i dha Ramës të drejtën që të negociojë dhe të firmosë aleanca parazgjedhore dhe të krijojë një koalicion politik.
Kandidatët
Kur dihet që është hedhur skica e listës që do të përfaqësojë Partinë Socialiste në këtë zgjedhje parlamentare, ku ajo futet për herë të parë me në krye Edi Ramën, asambleja e partisë ka kërkuar dhe përfshirjen e bazës në këtë proces. Procedura e përzgjedhjes së emrave do të nisë me mbylljen e procesit konsultues në strukturat e partisë për kandidaturat potenciale për kandidatët për deputetë. Më pas, sipas udhëzimit do të ketë takime dhe konsultime për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi. Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjese, delegatet e Kongresit të PSSH, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PSSH në rrethin përkatës dhe anëtarët e KS të rrethit. Kriteret e miratuar nga PS për kandidatët janë: të kenë cilësi qytetare dhe aftësi profesionale të spikatura; të kenë integritet moral dhe kurajë civile për të luftuar shkeljet e ligjit, shfaqjet e abuzimit me pushtetin; të kenë kontribut e angazhim politik, të mbështesin dhe zhvillojnë politikat e PSSH-së në nivel kombëtar e rajonal; të gëzojnë respektin e komunitetit përkatës dhe më gjerë; të kenë aftësi komunikimi me zgjedhësit, të jenë aktivë dhe të angazhuar për njohjen dhe zgjidhjen e problemeve.