E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 450 vëzhgues të huaj në Shqipëri



Misioni i OSBE/ODIHR-it nis procesin e monitorimit

Misioni i OSBE/ODIHR-it nisi dje misionin e tij për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Drejtuesja e këtij misioni, ambasadorja Audrey Glover nga Britania e Madhe, organizoi një konferencë shtypi ku dha detaje të punës së këtij misioni. Rëndësia e zgjedhjeve të lira për Shqipërinë është jetike, por edhe monitorimi i zgjedhjeve nga ky mision i specializuar do të jetë i thelluar. Ambasadorja tha se në total do të jenë 450 vëzhgues, do të përgatiten tri raporte paraprake për procesin para zgjedhor, si dhe një ditë pas zgjedhjeve, ky mision do të nxjerrë konkluzionet e tij.

Një “ushtri” prej 450 vëzhguesish të specializuar do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të qershorit. Misioni i OSBE/ODIHR-it nisi dje zyrtarisht punën, ku drejtuesja e tij, ambasadorja Audrey Glover nga Britania e Madhe, dha detajet e funksionit të këtij misioni. Javën e ardhshme pritet të vijnë edhe 26 vëzhgues të tjerë të misionit, ndërsa ditën e zgjedhjeve do të numërohen 450 të tillë. Ambasadorja Glover, e cila ka drejtuar një mision të ngjashëm edhe në zgjedhjet presidenciale në SHBA, u përgjigj për “standard” “se të gjitha çështjet do të reflektohen në raportin e misionit”. Të gjitha shqetësimet, si lista e zgjedhësve, puna e KQZ-së, pajisja e qytetarëve me karta identiteti, fushata e partive politike etj. do të pasqyrohet në tri raporte të veçanta që do të publikohen nga ky mision para datës së zgjedhjeve. “Vetëm një ditë pas zgjedhjeve, - tha ambasadorja Glover, - misioni do të publikojë rezultatet e standardeve që duhet të plotësohen”. “Në këto momente Shqipëria ka shumë nevojë për standarde të larta në zgjedhje dhe shpresojmë që ato standarde që u arritën në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, të konsolidohen me këto zgjedhje të qershorit”, - tha diplomatja britanike.

Shqetësimet

E pyetur në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ambasadorja Audrey Glover bëri thirrje që qytetarët të pajisen sa më parë me këtë dokument. “ODHIR-i ka këshilluar që qytetarët të pajisen me kartat e identitetit. Ne do ta ndjekim me shumë kujdes dhe procesi i pajisjes me karta identiteti do të jetë në vëmendjen tonë të veçantë”, - tha Glover, e cila shtoi se këtë proces do ta monitorojë ky mision. Për sa u përket çështjeve të ngritura në lidhje me punën parapërgatitore të zgjedhjeve, ambasadorja bëri të ditur se gjithçka do të jetë nën vëzhgimin e tyre. “Fushata zgjedhore, pajisja me karta, regjistrimi i votuesve, puna e KQZ-së dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor do të jenë çështjet kryesore ku do të fokusohemi. Për sa u përket kartave, prej kohësh ODIHR ka kërkuar pajisjen e shtetasve me këtë dokument dhe është në dorën e autoriteteve mbarëvajtja e këtij procesi të rëndësishëm. Siç e thashë kjo është një fushë me rëndësi dhe do ta ndjekim me shumë kujdes”, - deklaroi Glover. Ajo tha më tej se anëtarët e këtij misioni presin që të zbatohen standardet sipas dokumentit të Kopenhagenit më 1990. Sipas saj, anëtarët e misionit nuk kanë ardhur me paragjykime, por përkundrazi, çdo detaj i punës së vëzhguesve dhe ekspertëve do të jetë publike. “Ajo që ndodh para zgjedhjeve, është po aq jetësore sa ajo që ndodh në ditën e zgjedhjeve, nuk kemi mbërritur me paragjykim apo axhendë të fshehur si gjithmonë do të lëmë faktet të flasim vetë”, - garantoi ambasadorja britanike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›