Ramushi nënshkruan me Gjilanin

Sulmuesi i njohur kosovar, Ismet Ramushi, në sezonin pranveror do t’i mbrojë ngjyrat e Gjilanit, ku edhe e pati filluar karrierën e futbollistit. Lajmin e ka konfirmuar për Express, vet Ramushi, i cili tregoi se të shtunën në mbrëmje ka nënshkruar kontratë gjashtë mujore me drejtuesit e Gjilanit, me mundësi të vazhdimit.
“Pas shumë negociatave, të shtunën në mbrëmje gjetëm gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Gjilanit dhe nënshkruam kontratë gjashtë mujore, me mundësi vazhdimi. Më vjen mirë që arritëm marrëveshje, dhe që do të luaj për klubin e qytetit tim”, deklaroi ish futbollisti i klubit malazez, Jedinstvo, Ismet Ramushi.
Gjilani gjatë stinorit vjeshtor ka pasur paraqitje jo të mira, me ç’rast pjesën e parë të kampionatit e ka përmbyllur duke u radhitur në pozitën e dhjetë, me vetëm 17 pikë.
“Gjilani edhe në vitet e kaluara shumë herë është gjendur në pozita të tilla jo të mira, mirëpo ka ditur t’i tejkalojë krizat. Kemi një ekip të mirë, dhe me dy-tri përforcime, besoj se do ta tejkalojmë edhe këtë krizë, dhe Gjilani do të mbijetojë”, theksoi ish sulmuesi i Vëllaznimit.