Ranieri kërkon dëmshpërblim moral
05/03/2005 Duket se “divorci”, midis teknikut Klaudio Ranieri dhe klubit të Valencias do të krijojë një rast unik në historinë e futbollit. Trajneri u shkarkua nga detyra e tij, të enjten e kaluar dhe sipas shumë mediave spanjolle, çështja e tij së shpejti do të përfundojë në gjykatën e punës së Valencias, pasi largimi i tij nuk është vetëm ekonomik, por ka dëmtuar edhe imazhin e Ranierit. Në fakt, nëse brenda 20 ditësh, nuk do të arrihet një marrëveshje midis të dyja palëve, atëherë do të jetë detyra e gjykatës të zgjidhë këtë çështje, pasi në Spanjë, kjo detyrë është jashtë kompetencave të Federatës së Futbollit. Një “thikë me dy presa”, e cila nëse i jep të drejtë teknikut, do të jetë diçka e mirë për të gjithë trajnerët, por nëse gjykata do të hedhë poshtë kërkesat e tij, atëherë çdo klub do të mund të largojë teknikun e tij, pa pasur asnjë pasojë. Pra, kjo çështje mund të jetë përsëritja e çështjes “Bosman”, por këtë herë në anën e kundërt.