E Diel, 1 Nëntor 2026

Ranieri sulmon Murinjon: Portugezi hedh bomba me sahat

Roma Trajneri verdhekuq i kundërpërgjigjet kolegut të Interit

Pas polemikave në finalen e Kupës së Italisë ndërmjet Romës dhe Interit, e cila u karakterizua nga përplasja e Totit me Balotelin dhe deklarata e Zhoze Murinjos se verdhekuqtë mund të paguajnë Sienën për të frenuar zikaltërit në kampionat, trajneri Klaudio Ranieri hidhet në kundërsulm. “Fjalët e Murinjos? Janë si bomba me sahat dhe mua kjo nuk më pëlqen”, deklaroi drejtuesi i stolit të Romës. “Ky është një futboll që mua nuk më pëlqen. Kërkoj respekt dhe natyrisht që i trajtoj kundërshtarët me respekt. Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të karikuar lojtarët e një skuadre, por personalisht zgjedh futbollin e bukur, vendosmërinë për të fituar dhe luftën sportive, por pa treguar asnjëherë mungesë respekti”. Më tej, Ranieri ka folur edhe për shkelmin e Totit ndaj Balotelit, ndërsa ky i fundit e akuzoi kapitenin e Romës për sharje me sfond racist. “Toti gaboi, megjithatë ai është një person për së mbari. Françesko racist? Ata që e mendojnë këtë, nuk e njohin aspak”, përfundoi tekniku.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›