Raporti: Bankat më të sigurta në kredidhënien ndaj biznesit
Në këtë periudhë të krizës ekonomike, bankat po kreditojnë më shumë bizneset sesa individët, për shkak të sigurisë më të madhe që ata ofrojnë. Politikat e kujdesshme që ato po zbatojnë kanë çuar në një ngadalësim të ritmeve të kreditimit. Sipas të dhënave, bizneset janë klientët e preferuar të bankave në kredidhënie, për shkak të sigurisë më të madhe që ofrojnë në këtë periudhë të krizës ekonomike globale. Nga të dhënat e fundit nga Shoqata e Bankave rezulton se kreditimi për ekonominë ka vijuar, megjithëse me ritme më të ngadalta se vitet e mëparshme. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, bankat kanë dhënë 417 miliardë lekë kredi, ose 20.3 miliardë lekë më shumë se fundi i vitit 2008. Nga kjo shumë 256.7 miliardë lekë kanë shkuar për bizneset dhe pjesa tjetër për individët. Nga të dhënat e Shoqatës së Bankave rezulton se, kredia për bizneset është rritur me rreth 19 miliardë lekë, ndërsa individët e vetëm 1.7 miliardë lekë. Por pavarësisht ngadalësimit të ritmeve të kreditimit, ekspertët e sistemit bankar vlerësojnë ecurinë e këtij procesi, ç’ka tregon se bankat janë të shëndosha dhe mbështesin ekonominë me financime.
12 Maj 2009