Takime me aleatët, Berisha: Ministër, kush fiton deputet
Vetëm tre muaj larg zgjedhjeve, kreu i mazhorancës së djathtë, Sali Berisha, ka kryer takime me dyer të mbyllura me disa prej kryetarëve të partive të vogla. Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka vendosur të marrë vetë frerët në dorë të ndërtimit të koalicionit, por edhe të diskutimit të kushteve. Partia Demokratike ka përcaktuar sekretarin e përgjithshëm, Ridvan Bode, dhe nënkryetarin, Astrit Patozi, si grup negociator me aleatët, por Berisha ka preferuar të diskutojë vetë detajet e marrëveshjes.
Burime pranë partive të vogla, shprehen se në takimin me Kryeministrin është diskutuar si çështje kryesore, mundësia e futjes së garantuar në Kuvend për kryetarin e partisë. Po të njëjtat burime thonë se Berisha e ka përjashtuar këtë mundësi, por ka pranuar të tjera kushte. Kështu, Berisha u ka thënë kandidatëve për aleatë, por edhe atyre që janë konfirmuar në koalicionin e djathtë, se posti i ministrit nuk do të paracaktohet. Kryeministri është shprehur në këto takime të mbyllura se askush nga partitë e vogla nuk do të bëhet ministër me marrëveshje paraprake, parazgjedhore. Mësohet që Berisha të këtë thënë se kjo varet nga rezultati. Vetëm një përfaqësim i denjë në Kuvend, duke fituar deputetë, gjë që duket shumë e vështirë për pothuaj të gjitha partitë e vogla, do të ishte shans për të fituar post ministror. Në rast se përfaqësimi në Kuvend do të jetë i nivelit të tillë që do të imponohet, atëherë posti ministror mund të negociohet.
Nga ana tjetër, duke parë realitetin dhe Kodin e ri Zgjedhor, në rast se zgjedhjet i fiton koalicion i djathtë, do të ketë me siguri më pak ministra nga aleatët. Një fakt të tillë e kanë kuptuar edhe vetë partitë e vogla të cilat kanë ndryshuar kërkesat e tyre.
Për sa u përket këtyre kërkesave, aleatët kanë kërkuar nga Berisha që pas zgjedhjeve, edhe në rast se nuk fitojnë deputetë, të mundësohet një përfaqësim në rang zëvendësministri. Njëkohësisht, ata kanë kërkuar poste drejtorish në numër të konsiderueshëm.
Burime pranë partive të vogla bëjnë me dije që Berisha është shprehur se posti i zëvendësministrit varet nga kontributi në zgjedhje, ndërsa ka pranuar kushtin për poste drejtorësh, madje ka hedhur edhe idenë e drejtimit të ndonjë prefekture.
Mësohet se Kryeministri ka pritur në zyrë në ditë të ndryshme Nikollë Lesin, Ekrem Spahinë, Adriatik Alimadhin etj., ku ka diskutuar me ta disa prej detajeve të bashkëpunimit. Alimadhi dhe Spahia konfirmojnë takimin me Kryeministrin Berisha. Ceremonia e anëtarësimit në NATO ka shkëputur vëmendjen e kreut të mazhorancës nga aleatët, por bëhet e ditur se së shpejti do të mbahen takime të tjera. Mësohet se Berisha do të takohet me disa kryetarë të tjerë partish, si demokristianët e drejtuar nga Gurakuqi, Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit, PDI-në e Muhedinit etj. Burime në PD bëjnë të ditur se koalicioni i djathtë do të jetë më i madhi, pasi pritet të marrin pjesë rreth 10 parti. Kushtet e koalicionit janë të njëjta për të gjithë, që do të thotë se askush nuk do të garantohet në listën e PD-së si dhe secili do të duhet të garojë për vota me siglën e partisë.
Fier, Olldashi: Na besoni përsëri të vazhdojmë punën
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i shoqëruar nga ministrat Alibeaj dhe Beja, vizituan dje komunat Frakull, Portez dhe Kuman në qarkun e Fierit nga ku Olldashi kërkoi votën e qytetarëve në mënyrë që, sipas tij, puna të vazhdojnë ende. Në fjalën e mbajtur përpara banorëve, Olldashi tha se qeveria “Berisha” ka mbajtur premtimet e dhëna në vitin 2005 dhe sipas tij, do të duhet edhe një mandat i dytë për të përmbushur projektin. “Ju na keni dhënë dhe do të na jepni besimin, ne ju kemi dhënë dhe do të vazhdojmë t’ju japim punën. I tillë është e do të mbetet bashkëpunimi ynë me të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Kemi ardhur për të dhënë llogari ashtu siç jepet llogari në një marrëdhënie besimi, në një marrëdhënie besimi, siç e ndërtuam katër vite më parë”, - deklaroi Olldashi. Duke folur për investimet e kryera në komunën e Frakullit, Olldashi tha se ato janë të prekshme, të matshme dhe reale për banorët e për këdo, sepse është investuar njëmbëdhjetë herë më shumë. “Në 8 vjet të qeverisjes socialiste, në komunën e Frakullit ka pasur 220 mijë euro investim. Vetëm përgjatë tri viteve të qeverisjes demokratike janë bërë 1.3 milionë euro investime. Njëmbëdhjetëfish më shumë se paraardhësit socialistë”, - tha ai. Sipas ministrit të Transporteve, PS-ja sot drejtohet nga një person pa program dhe të lidhur me interesa korruptive, ndërkohë që, sipas tij, qeveria e djathtë realizoi dyfishim pensionesh, rritje pagash, investime, integrim etj. “PS-ja sot ndodhet në duart e një kryetari që nuk ka program dhe që gjithçka e çdo gjë e ka bazuar mbi shpifjen, gënjeshtrën dhe retorikën mohuese. Flet për Gërdecin, por as ai e as njeri tjetër në PS nuk përmendin emrin e Mihal Delijorgjit. I ka dhënë atij 30 leje dhe siç e dinë të gjithë, lejet në Bashkinë e Tiranës nuk jepen falas. Tridhjetë leje janë shumë para dhe shumë para ta mbajnë gojën kyçur”, - deklaroi Olldashi, duke thënë më tej se qeveria ka kredituar Bashkinë e Tiranës, e cila mezi mbylli unazën e vogël dhe nuk ka ndërtuar 10 shkolla.