E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, KSHH: Problemi i zvarritjeve gjyqësore, shqetësues

TIRANË- Komitetit Shqiptar i Helsinkit shprehu shqetësim për zvarritjen e proceseve gjyqësore në vendin tonë. Në raportin e publikuar sot, lidhur me Situatën e Respektimit të të drejtave të Njeriut në Shqipëri për vitin 2011, Komitetit Shqiptar i Helsinkit nënvizon se "problemi i zvarritjeve gjyqësore vazhdon, sidomos në ato çështje kur kemi të bëjmë me shumë të pandehur ose për shkak të mosardhjes së letërporosive për marrjen e provave ose dëshmive të ndryshme".

Gjatë prezantimit të raportit, drejtoresha e KSHH-së Vjollca Meçe deklaroi se shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore vazhdojnë të jenë mungesa e avokatëve dhe i të pandehurve, në disa raste dhe pa ndonjë arsye si në çështjen e Gjykatës së Krimeve të Rënda për zhdukjen e bisnezmenit, Remzi Hoxha.

Lidhur me inspektimet për infrastrukturën dhe kushtet e komisariateve të policisë, raporti i KSHH-së vëren se, janë bërë përmirësime të dukshme në krahasim me të kaluarën në disa komisariate si në Gjirokastër, Kukës dhe Korçë, por disa standarde nuk janë realizuar as me investimet e reja.

Ndërkohë evidentohen probleme lidhur me kushtet fizike të ambienteve të shoqërimit dhe ndalimit në komisariatet e Tiranës, Vlorës, Sarandës, probleme që lidhen me praninë e lagështirës, kubaturën e vogel të dhomave etj.

Sa i takon infrastrukturës së burgjeve, raporti konstaton se është arritur progres lidhur me infrastrukturën e disa institucioneve ekzistuese dhe në ndërtimin e disa institucioneve të reja si në Berat, Elbasan, Shkodër etj. Por, pavarësisht nga kjo, në disa institucione ka ende godina të vjetra të pakonstruktuara si në Tepelenë, Burrel, Rrogozhinë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›