E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, çmimet e banesave janë rritur me 18 për qind

09/11/2009  Në tremujorin e tretë të vitit, sipas Bankës Qendrore qiratë nuk kanë ndryshuar

Çmimet e banesave janë rritur, por qiratë e tyre kanë mbetur në vend. Ky është përfundimi i raportit të politikës monetare të Bankës Qendrore, për tremujorin e tretë të vitit. Sipas ekspertë të BSH-së indeksi i çmimit të banesave është rritur me 18 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të një viti më parë. Kjo shifër gjithsesi është më e lartë për shkak edhe të luhatjeve të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të monedhës vendase. “Rritja vjetore e çmimit të banesave, duke përjashtuar efektin e nënçmimit vjetor të lekut ndaj euros, do të rezultonte vetëm 10 për qind (18 për qind me këtë efekt)”, - thekson raporti i BSH-së.

Apartamentet

Thuhet se ka rreth 4 mijë apartamente të pashitura në kryeqytet, shifër që do të ndikonte në uljen e çmimit. Por e kundërta ka ndodhur. Kjo ecuri, sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, konfirmoi pikën e kthesës drejt rritjes graduale, të nisur që prej tremujorit të parë të vitit 2009. “Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve të ndërtimit tregojnë për një prirje në rënie të çmimeve të prodhimit, e cila nuk është reflektuar në çmimet e transaksioneve gjatë shitblerjes në dy tremujorët e fundit. Këto janë të dhëna që përdoren për ndërtimin e indeksit të çmimeve të banesave. Pjesa më e madhe e çmimeve të shitjes shprehet në monedhën evropiane, e cila është vlerësuar me 7.7 për qind ndaj monedhës vendase”, - theksuan ekspertët në raport. Ata gjykojnë se zhvillimet në çmimet e banesave do të ndikohen edhe nga rritja e pritur e ofertës. Bazuar në të dhëna të tërthorta, oferta është e shprehur në vlerësime më pozitive të prodhimit në ndërtim ashtu edhe nga një rënie e inventarëve të bizneseve të ndërtimit gjatë dy tremujorëve të fundit. Rrjedhimisht çmimet jo vetëm që nuk do të ulen, por janë me tendencë rritjeje. Rritja e çmimit në Shqipëri do të vijojë, sepse kërkesa e konsumatorit është akoma e lartë. Gjysma e popullsisë jeton aktualisht në fshat dhe ka kërkesa të vazhdueshme për t’u zhvendosur në zonat urbane. Përpos kësaj në vend ka një popullsi akoma të re në moshë që pajisen me shtëpinë e tyre pasi krijojnë familje të re.

Qiratë

Ndryshe nga situata e apartamenteve dhe banesave, në të njëjtën periudhë indeksi i qirave ra me rreth 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë paraqitet në pothuaj të njëjtin nivel. Raporti i çmimit të shitjes së banesave ndaj qirasë së tyre ka pësuar rritje në tremujorin e tretë të vitit 2009. Niveli i tij aktualisht qëndron më lart prirjes historike të këtij raporti, ndikuar si nga rritja e çmimit, ashtu edhe nga rënia e qirave të banesave në tremujorin e tretë të vitit 2009.

Ndërtimi

Aktiviteti i ndërtimit është tkurrur si pasojë e reduktimit të likuiditeteve gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të viti. Shkak për këtë janë bërë faktorë të ndryshëm ku dy prej më të rëndësishmëve janë, bankat që kanë prerë kreditimet dhe dërgesat e emigrantëve që kanë rënë ndjeshëm sidomos këtë vit. Shqetësimet e përfaqësuesve të këtij sektori kanë të bëjnë me mungesën e partneritetit me qeverinë, mungesën e strategjive për sektorin e ndërtimit, mungesën e planeve rregulluese në qytete, si dhe arbitraritetin e administratës tatimore. Ata kanë kërkuar shpesh rregullimet e nevojshme ligjore me qëllim normalizimin e biznesit të ndërtimit. Sipas burimeve të Shoqatës së Ndërtuesve aktualisht, shoqëritë e ndërtimit qarkullojnë rreth 1.5 miliardë euro në vit. Ato janë pajisur me teknologjitë më të mira të kohës, kanë mobilizuar burime të shumta financiare të lira në duart e popullatës dhe kanë punësuar një numër të madh fuqie punëtore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›