E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BB: Shqipëria renditet në vendin e 82-të

Raporti vlerëson ndryshimet ligjore në procedurat e hapjes së një biznesi, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve dhe kushteve për tregtinë ndërkombëtare. Problem mbeten marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës,taksat. 

WASHINGTON- Banka Botërore nxori raportin e vjetor për gjendjen e biznesit nëpër botë, ku vihet në dukje se një numër rekord ekonomish në te gjithë botën reformuan rregullat e biznesit gjatë vitit fiskal 2008 - 2009, mes tyre edhe Shqipëria. Sipas Bankës Botërore 131 vende nga 183 ekonomitë e përfshira në raport reformuan praktikën e bizneseve të tyre, pra 70% e tyre, një shifër rekord kjo brenda një viti, që nga botimi i raportit të parë të këtij tipi në vitin 2004. Madje ky përparim vjen pikërisht në periudhën e një krize ekonomike botërore. Në raportin e Bankës Botërore “Biznesi në 2010, Reforma në Kohë të vështira” konstaton kryerjen e 287 reformave në periudhën qershor 2008 – maj 2009, që përbëjnë një ngritje prej 20 përqindësh krahasuar me një vit më parë. Shqipëria miratoi një ligj të ri për falimentimin dhe agjencinë që do ta mbikqyrë atë, ligj i cili sanksionon edhe afatet kohore për kompanitë që veprojnë me humbje dhe norma kualifikimi për administratorët që do të mbikqyrin procesin e falimentimit. Në ligj parashikohet gjithashtu edhe praktika për bizneset e vogla që operojnë me humbje, thuhet në raport. Fillimi i bizneseve në Shqipëri u lehtësua, duke e bërë regjistrimin elektronikisht, gjë që natyrisht shtoi edhe kapacitetin e ruajtjes së të dhënave. Po ashtu u ul ndjeshëm shuma e kapitalit fillestar për të hapur një biznes të ri dhe u eliminua kërkesa për ta regjistruar biznesin në Dhomën e Tregtisë. Gjithashtu, përdorimi i softuerëve për financat dhe instalimi i pajisjeve të skanimit kontribuan në pakësimin e kohës së kalimit të mallrave nëpër pikat doganore, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Dhe me gjuhën e shifrave, Shqipëria u ngrit nga vendi i 89-të në të 82-tin për sa u përket lehtësive për të bërë biznes. Ajo hyn në vendin e 46 në grupin e atyre vendeve ku hapja e një biznesi të ri është e lehtë. Po ashtu dhe kushtet për tregtinë ndërkufitare të Shqipërisë, janë të favorshme, thuhet në raportin e Bankës Botërore, “Biznesi në 2010: Reforma në Kohë të vështira”.
(NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›