Kuvend, ftesa në NATO mban peng paketën aderuese
Kuvendi tenton të kalojë paketën aderuese për në NATO. Specialistët sqarojnë se paketa nuk mund të kalojë pa marrë ftesën
TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje, me konsensusin e të gjitha palëve politike, paketën prej pesë projektligjesh të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, duke ia përcjellë tashmë për ratifikim seancës plenare. Siç edhe është planifikuar në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, kjo paketë projektligjesh duhet të miratohet gjatë seancës plenare të ditës së nesërme.
Por, kjo, në fakt, nuk do të ndodhë, të paktën deri sa Shqipëria të marrë zyrtarisht ftesën për anëtarësim me të drejta të plota në NATO.
Kanë qenë specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes, ata që i kanë kërkuar Kuvendit që të shmangë një incident procedural me këtë organizatë dhe të nxjerrë projektligjet e mësipërm nga agjenda parlamentare.
Kështu, ata kanë shpjeguar para deputetëve se, në bazë të procedurave të përcaktuara, Kuvendi ynë nuk mund të miratojë pranimin e përfshirjes në një sërë marrëveshjesh që, në thelb, kanë pranimin e anëtarësimit në NATO, pa pasur realisht një ftesë zyrtare prej kësaj organizate.
Ndërkohë, drejtori për NATO-n në Ministrinë e Jashtme, Agim Fagu, ka shpjeguar procedurat që do të ndiqen deri në finalizimin e këtij procesi.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, që tashmë e kanë miratuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duhet që të gjitha këto instrumente të ratifikimit t'i depozitojnë në Departamentin e Shtetit (deri më tani një procedurë të tillë e kanë kryer vetëm 17 shtete nga 26).
Që nga momenti që këto instrumente do të mbërrijnë të gjitha në DASH, ky i fundit e quan protokollin të përfunduar dhe i dërgon sekretarit të përgjithshëm të NATO-s njoftimin, ndërsa ky i fundit i dërgon qeverisë shqiptare letrën e ftesës, ku i thotë se të gjitha vendet e kanë miratuar dhe se ju jeni anëtarë të NATO-s. Vetëm pas këtij momenti, Parlamenti Shqiptar mund të ratifikojë traktatin e Uashingtonit, duke demonstruar se pranon ftesën për të qenë anëtare me të drejta të plota të NATO-s.
Menjëherë pas kësaj procedure, shteti shqiptar ia kalon dekretin e ratifikimit të këtij traktati DASH-it, dhe me mbërritjen e tij në këtë destinacion, Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s edhe me të drejta të plota. Ndërsa Samiti i NATO-s pritet të jetë një diçka krejt formale në këtë proces.
Një procedurë e tillë duket se ka gjetur të papërgatitur juristët e Kuvendit, të cilët në mungesë informacioni rreth këtyre procedurave, kishin lejuar që kjo paketë projektligjesh të kalonte për miratim në seancën e nesërme. Ndërkohë që, futja e Shqipërisë në NATO, e gjen vendin tonë të papërgatitur edhe në një aspekt teknik, por që ka të bëjë me dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën.
Të qenit pjesë e kësaj organizate, do të rrisë në mënyrë të ndjeshme aktivitetin e forcave të tjera ushtarake të NATO-s në vendin tonë.
Por, në bazë të Kushtetutës, lejen për futjen e tyre në territorin tonë, e lejon vetëm Kuvendi, çka përbën një procedurë të tejzgjatur, që, në kushtet e reja që krijohen me anëtarësimin në këtë organizatë, bëhet tepër burokratike.
Për këtë arsye, specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë kërkuar edhe më parë që të ndryshohet një nen i tillë, duke ia kaluar këtë drejtë ose vetëm qeverisë, ose Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Por, duket se një ndryshim i Kushtetutës ka dalë i panevojshëm, pasi kreu i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali ka sqaruar se, me miratimin e këtyre marrëveshjeve, këtë të drejtë Kuvendi ia delegon qeverisë.