E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH fut në konflikt pozitën me opozitën

Leskaj akuzon mazhorancën, Nishani,  raporti pozitiv për qeverinë
Raporti i DASH ka futur në debat të ashpër parlamentin shqiptar ku akuzat e opozitës kanë stigmatizuar qeverisjen e Sali Berishës si një qeverisje të korruptuar. Ky raport megjithëse dukej qartë që ishte si një nga dacibaot e opozitës shqiptare ka mjaftuar për ti dhënë të drejtën opozitës për akuzat ndaj qeverisjes. Përqëndrimi i opozitës në akuzat e sjella nga DASH nëpërmjet këtij raporti ndezën debatin midis ministrit të Brendshëm Nishani dhe kreut të Grupit Parlamentar Leskaj. Në raportet e DASH ka përmirësime, mjafton të shohësh raportin e 2005-ës dhe ta krahasosh me 2004-ën dhe 2003-shin. Nëse i referohemi të drejtave të qytetarëve në raportin e vitit 2004, aty ka një listë emrash personash që janë dhunuar nga regjimi i asaj kohe, ka deklaruar Nishani. Ndërkohë që  Leskaj ka marrë si shembull tragjedinë e Gërdecit dhe çështjen e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazllic, të cilat sipas saj përligjin  raportin e SHBA.Vendi shkon poshtë dhe jo lartë, këtë thotë edhe raporti i DASH, gjatë vitit të fundit qeveria tentoi vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura, deklaroi deputetja Leskaj. Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me konkluzionet e dokumentit vjetor të DASH, ministri Nishani gjatë fjalës së tij në kuvend ka theksuar se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2008 konstaton se të drejtat e njeriut në Shqipëri janë në një standard shumë herë më të përparuar se në të gjitha raportet e viteve të mëparshme. Sipas tij, në raport tregohet edhe rritja e angazhimit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në raportin e DASH thuhet se në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria u ngjit 20 vende më lart. Ndërsa po ti referohemi krimit të organizuar, në raport theksohet se është minimumi historik në 18 vitet e fundit, ka saktësuar Nishani. Duke hedhur poshtë deklaratat e mazhorancës se ky raport është bazuar në të dhëna të vjetra, Leskaj tha se Gërdeci ndodhi vitin 2008 dhe se raporti i DASH nuk mund të ishte ndryshe për një vend ku shteti ngriti punishten e vdekjes, ku i gjithë procesi që nga miratimi i ligjit, që i hapi rrugë trafikut të armëve e deri te kushtet e sigurisë në punë ishte korruptiv, kapje e pastër e shtetit. Gërdeci, vijoi Leskaj ishte më e rënda po jo e vetmja pasojë për shqiptarët, radha e skandaleve për fat të keq është shtuar, ku 26 vetëve iu privua e drejta për të jetuar, kur fëmijë dhe gra shtatzëna punonin në mes të armëve, kur u cenua e drejta e sigurimeve, e pronës dhe të gjitha këto nga vet qeveria.  Kryetarja e grupit të PS, Leskaj theksoi se propaganda qeveritare nuk mund të mbytë me  zhurmë, as me mitingje, as me shirita gjysmë rrugësh e gjysmë projektesh, sinjalet negative që vinë për korrupsionin e kapjen e shtetit, për lirinë e medias, për presionet e bëra mbi institucionet e pavarura e për të mbyllur skandalet korruptive ku ka ngelur peng një pjesë e qeverisë me në krye shefin e saj. Në fakt sipas raportit të DASH, Shqipëria ka probleme me ndërhyrjet e qeverisë mbi mediat dhe gjyqësorin. Gjithashtu sipas këtij raporti,  qeveria ka penguar hetimin e çështjes së Gërdecit dhe ka bërë një ligj lustracioni që shkel kushtetutën e Shqipërisë. Si çdo vit raporti i DASH është bërë mollë sherri midis opoziëts dhe pozitës. E njëjta situatë ka qenë përsëritur nga opozita e Sali Berishës, e cila merrte pasazhe të tëra nga ky raport dhe akuzonte qeverisjet socialiste. Në fakt politika shqiptare duket se është në një krizë personaliteti, ku raporte të kësaj natyre të cilat nuk kanë pikën e seriozitetit dhe shpeshherë pasqyrojnë qëndrimet selektive të ambasadorëve apo të zyrtarëve të caktuar në Shqipëri, krijojnë probleme ireale dhe falso. Raporti i DASH këtë herë ishte këmbë e kokë gjuha politike e Partisë Socialiste dhe  në shumë pjesë të tij ishte identik me vitet paraardhëse. Politka shqiptare duket se nuk po kupton pozicionin e saj real si përfaqësuese dinjitoze e votës së popullit shqiptar. Defektet e saj dhe frustrimi që kjo politikë shfaq prej vitesh ka krijuar probleme serioze në qeverisjen e vendit dhe shpeshherë trazira të cilat kanë në qendër të vëmendjes dhe pjesëmarrjen aktive të ambasadorëve të caktuar.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›