E Diel, 1 Nëntor 2026

“Raporti i Dick Marty, frymëzim i mirëfilltë antishqiptar - do e hedhim poshtë”

29-12-2010 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri Ilir Meta në Gjakovë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta deklaroi gjatë një vizite në Gjakovë se raporti i eurodeputetit Dick Marty është një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimet e Kosovës dhe Shqipërisë. Zëvendëskryeministri Ilir Meta u prit në këtë takim u prit nga kreu i komunës së Gjakovës Pal Lekaj.
Gjatë fjalës së tij Meta tha se “Ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”.
Sipas tij, ky raport është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë, si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta.
“Ato qarqe antishqiptare dhe antiperëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike, një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”, theksoi Zëvendëskryeministri Ilir Meta. Më tej në fjalën e tij Meta deklaroi se Shqipëria do të nisë një ofensivë për të çmontuar raportin e Dick Martit, të cilin e cilësoi një raport të zi dhe dashakeqës.

Mirënjohje Kosovës
Ilir Meta, Zëvendëskryeministri i vendit njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zhvilloi ditën e djeshme një vizitë zyrtare në Gjakovë, ku në këtë takim  u prit nga kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.
Në vizitën e tij në Kosovë Zëvendëskryeministri Meta shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, dhe nga deputeti Gjok Uldedaj. Gjatë takimit Zëvendëskryeministri Ilir Meta falënderoi kryetarin e komunës së Gjakovës për ndihmën e dhënë për banorët e Shkodrës dhe Nënshkodrës, të cilët u prekën nga fatkeqësia natyrore e  përmbytjeve.
Nga ana e tij, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj u shpreh i gatshëm për të vijuar këto ndihma, duke iu gjendur pranë banorëve të prekur nga pasojat e fatkeqësisë natyrore.
“Ne çdo herë kemi qenë afër Shqipërisë, sikurse Shqipëria ka qenë afër Kosovës. Ne tani jemi munduar që në mënyrë simbolike të jemi afër qytetarëve të Shkodrës. Këtë e bëjmë me kënaqësi dhe ndihemi mirë për këtë, sepse jemi një komb”, tha gjatë fjalës së tij kryetari i komunës së Gjakovës Pal Lekaj.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i METE zhvilloi takime edhe me kryetarët e komunave të Deçanit, Ferizaj dhe Junikut. Në këto takime, Zëvendëskryeministri Ilir Meta shprehu gjithashtu falënderimet dhe vlerësimet më të larta për kontributin që ata dhanë në ndihmë të banorëve të prekur nga situata e përmbytjeve në veri të Shqipërisë.
Më pas Meta u takua edhe me biznesmenë vendas, të cilët kanë kontribuar me ndihmat e tyre për zonat e përmbytura në Shkodër dhe u ka shprehur falënderimet e përzemërta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›