E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndan dhurata te Shtëpia e Fëmijës

29-12-2010 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit në Shkodër

Kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli, shkoi sërish dje në Shkodër, por këtë herë për diçka ndryshe, për të festuar me fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në këtë qytet, festat e fundvitit ku me këtë rast ishte organizuar edhe një koncert festiv.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ndihej shumë e lumtur dhe e emocionuar që merrte pjesë në këtë festë, si nënë dhe si grua dhe që këto momente të veçanta të vitit po i kalon mes fëmijëve, që janë e ardhmja e qytetit dhe e gjithë shoqërisë sonë.
Kryetarja e Kuvendit shpërndau për fëmijët dhurata të shumta, si dhe mori prej tyre disa suvenire të veçanta, të realizuara nga vetë fëmijët.
Zonja Topalli tha se, “sot ka qenë një ditë krejt e veçantë për mua, jashtëzakonisht prekëse, shumë e bukur, shumë e emocionuese. Me këtë staf, me këto mësuese, me këto kujdestare, ju nuk jeni vetëm dhe s’keni për të qenë asnjëherë vetëm. Unë dua që ju të jeni të lumtur, të jeni të gëzueshëm, dua t’ju shoh duke kënduar, duke kërcyer, siç ju kam parë sot. Ju jeni fëmijë të talentuar dhe shumë të mençur dhe ju uroj që gjithë jetën të jeni të mirë, të doni njëri tjetrin fort, të respektoni mësueset kujdestare, drejtorin që kujdeset gjithë kohës për ju”.
Zonja Topalli theksoi se “në vitin e ardhshëm fondi në buxhetin e shteti, do të rritet edhe më shumë, sepse investimi te ju, tek fëmijët, tek të rinjtë, është një investim për vendin, është një investim për të ardhmen, është një investim për kombin”.
Duke iu referuar situatës së përmbytjes, kryetarja e kuvendit falënderoi drejtuesit e qeverisjes vendore, duke nënvizuar se “këto ditë kanë qenë te vështira për Shkodrën, kanë qenë ditë dhimbje për shumë familje të cilat e kanë parë veten të rrethuar me ujë, për shumë të fëmijë, të cilët kanë parë ujin ta rrethojnë shtëpinë, apo edhe të hyjë në shtëpinë e tyre”.
Ajo shprehu bindjen më të thellë se “drejtuesit lokalë, ashtu si dhe drejtuesit që kanë ardhur nga qendra, kanë treguar një humanizëm të jashtëzakonshëm, një përgjegjësi ndaj qytetarëve në shkallën më të lartë, një shpirt optimizmi që vetëm shkodranët e kanë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›