Raporti i "Freedom House": Ulet numri i vendeve të lira

"Freedom House" ka publikuar raportin vjetor për indeksin e lirisë në botë duke theksuar se kryengritjet në botën arabe në vitin 2011 i kanë frymëzuar njerëzit e shtypur kudo nëpër botë.
Por raporti, i cili është publikuar sot, gjithashtu thotë se për të gjashtin vit me radhë, ka rënë numri i vendeve, qytetarët e të cilave gëzojnë të drejta të plota politike dhe civile.
Raporti gjithashtu thotë se lëvizjet reformuese që ndodhën vitin e kaluar në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën eVeriut kanë shënuar sfidën më të madhe për sundimin autoritar, që nga rënia e komunizmit sovjetik para 20 vjetësh.
Në raport thuhet se në vitin 2011, 87 vende mund të konsiderohen të lira, njësoj si në vitin 2010, shifër kjo që përfaqëson 43 përqind të popullatës së botës.
Ndërkohë numri i vendeve që kanë pësuar rënie të nivelit të lirisë që është 26 vende është më i madh sesa numri i vendeve që kanë pësuar rritje të nivelit të lirisë, që është vetëm 12 vende.
Rënia e nivelit të lirisë, sipas raportit, është parë në Iran, Bahrejn, Liban, Arabi Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.
Ndërsa përkeqësim të nivelit të lirisë ka në Azerbajxhan dhe Kazakistan, ndërsa dështime ka edhe në Hungari, Afrikë të Jugut dhe Ukrainë.