Nënshkruhen kontratat për bypass-in e Durrësit dhe nyjës së Vorës
Janë nënshkruar dje kontratat për fillimin e punimeve të ndërtimit të bypass-it të Durrësit dhe Nyjës Rrugore të Vorës, një financim i qeverisë shqiptare dhe Fondit Kuvajtian, në prani edhe të ministrit Olldashi. Kontratat u nënshkruan nga drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, z. Andi Toma dhe nga dy përfaqësuesit e kompanive kuvajtiane. Ministri Olldashi i cilësoi kontratat si shumë të rëndësishme për rrjetin rrugor të Shqipërisë, veçanërisht për rajonin Tiranë-Durrës në të cilin është përqendruar dhe fluksi kryesor i trafikut. Përfaqësuesit e të dy kompanive kuvajtiane shprehën angazhimin e tyre të plotë, për t’i kryer punimet me cilësi dhe brenda afatit kontraktual. Bypass-i i Durrësit fillon nga dalja e mbikalimit të Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës dhe përfundon duke arritur në mbikalimin e Plepave. Projekti i Mbikalimit të Durrësit përfshin ndërtimin e rreth 5 km superstradë me 4 korsi kalimi. Projekti parashikon ndërtimin e rreth-rrotullimit të ri të Shkozetit dhe të tre rreth-rrotullimeve të reja në pikat lidhëse me rrugët transversale, nënkalimin e trasesë hekurudhore, si edhe degëzimet që e lidhin mbikalimin me portin e Durrësit dhe kodrat e Rrashbullit (rruga ekzistuese Durrës-Vorë) dhe që janë në total 2 km rrugë me katër kalime. Kostoja e këtij projekti arrin në 12.9 milionë euro. Konsulente është kompania kuvajtiane “J/V Aec &THC”, kontraktore kompania “J/V Green Line Contracting Co”. Nyja rrugore e Vorës (Vora Interchange) ka për qëllim disiplinimin e trafikut dhe përfshin ndërtimin e rrugëve paralele në një gjatësi prej 3 km, në një brez rrugor me gjatësi rreth 2 km që shtrihet në superstradën Tiranë-Durrës. Punimet përfshijnë dhe rrugët dytësore, rreth-rrotullimet, nënkalimet dhe mbingritjen, rakordimin dhe përmirësimin e 4 korsive të rrugës ekzistuese. Kostoja e këtij projekti arrin në 5.3 milionë. Periudha e zbatimit të projektit është 22 muaj.