E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Martit, Dennis MacShane: Fushatë për të penguar njohjet

Ish-ministri për Ballkanin në qeverinë e Londrës, Dennis MacShane ka mbrojtur Kosovën dhe kryeministrin Thaçi në një koment të publikuar në prestigjiozen amerikane “The Wall Street Journal”. Në intervistën e tij MacShane theksoi se po zhvillohet një fushatë e ashpër mediatike kundër Thaçit dhe Kosovës në mënyrë që të pengohen njohjet e tjera për shtetin e ri.

"Muajin e kaluar Këshilli i Evropës miratoi një raport të politikanit zviceran, Dick Marty, që akuzon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për rrëmbimin dhe shitjen e organeve të serbëve të ekzekutuar në burgje në vitin 1999. Akuzat bënë kryetitujt e botës. Pas kundërthënieve për Irakun, mesazhi ishte i qartë: Intervenimi i Perëndimit në Kosovë 12 vjet më parë ishte gjithashtu një gabim. Problemi është se raporti i Martyt është më shumë një punim fantastiko-shkencor i motivuar politikisht sesa një investigim kriminal i vërtetë", ka theksuar MacShane.

Ai citon komentet e Geoffrey Nice, ish-zv/prokuror i Hagës, që hodhi në mënyrë profesionale poshtë pretendimet e Martyt për tregëtinë e supozuar me organet e serbëve.

MacShane propozon që nëse është e nevojshme Këshilli i Evropës të organizojë debat për këtë çështje ndërmjet juristëve britanikë dhe zviceranë, dhe do të vërtetohej se britanikët kanë të drejtë.

Anëtari i Palamentit britanik, thotë se mediat ndërkombëtare, ndoshta pa dashje janë bërë pjesë e fushatës së egër kundër Kosovës, me qëllim ndaljen e njohjes ndërkombëtar.

MacShane ka qenë në fund të muajit të kaluar në Kosovë ku ka takuar Thaçin dhe ka marrë një mirënjohje nga një kolegj privat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›